English

“Ital - Ferr"-përzgjidhet për anën teknike, financiare, logjistike të ndërtimit të terminalit të ri të pasagjerëve

“Ital - Ferr” është kompania e përzgjedhur nga BERZH, për të kryer studimin e fizibilitetit dhe përgatitur termat e referencës, për dhënien me konçesion të terminalit multimodal të pasagjerëve. Kjo u bë e ditur nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Lulzim Basha, gjatë ekspozitës “Swiss Positions”, organizuar në kuadër të “Javëve të Arkitekturës”, nga Ambasada e Zvicrës në Shqipëri dhe Universiteti “Polis”.

“Është një konsulent aspak anonim, është studio projektuese arkitekturore, zhvilluese e një prej korporatave më të mëdha evropiane, hekurudhave italiane “Ferrovie Italiane” dhe pikërisht kjo studio, e cila njihet si “Ital - Ferr” është konfirmuar nga bordi i Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH), si studio që do të marrë përsipër anën teknike, financiare, logjistike të ndërtimit të terminalit të ri të pasagjerëve, për metropolin e Tiranës. Kjo është një parathënie e mirë për nivelin e konkuruesve që presin për këtë konçesion, por ndërkohë që ky proces ka marrë kohën e vet, këtu në Tiranë qytetarët nuk kanë ndejtur duarkryq. Rinia akademike e “Polis” dhe universiteteve të tjera ka përgatitur disa bocete, disa skica, disa ide që do i vijnë në ndihmë planit të punës dhe dizajnit teknik të terminalit të ri të pasagjerëve, i cili për nga rëndësia që paraqet, si për hekurudhat, për projektin e tramit, për autobusët interurbanë dhe urbanë, për taksitë dhe për shërbime të tjera tregtare, është pa dyshim një ndër projektet më të rëndësishme që Tirana ka projektuar në këto 20 vite dhe ndoshta edhe për në 20 apo 30 vitet e ardhshme. Është po kështu, një bashkëudhëtar i projektit të tramit dhe zgjatimit të bulevardit, në drejtim të lumit të Tiranës, projekt i cili pritet të paraqitet në fund të muajit nëntor“ – u shpreh Kreu i Bashkisë Lulzim Basha.

Në terminalin multimodal të Tiranës do të jetë stacioni i tramit, stacioni i ri i trenit, do të akomodohen rreth 10 linja autobusësh, që do i hiqen qarkullimit dhe stresit të transportit publik në Tiranë, mbi 400 mikrobusë të cilët vijnë nga veriu dhe nga jugu si dhe rreth 350 taksi, por njëkohësisht do të ketë edhe një qendër tregtare. Studimi i fizibilitetit dhe hartimi i termave të referencës, për dhënien me konçesion, financohet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me një fond prej 500 mijë eurosh.
1359

KOMENTE