Kryetarja e Kuvendit, znj. Jozefina Topalli priti sot në një takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Alexandër Arvizu, i cili prezantoi Drejtorin e ri të Misionit të USAID-it në Shqipëri, z.Jim Barnhart.
Duke i shprehur zotit Barnhart sukseset më të mira për detyrën e re, Kryetarja e Kuvendit vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm ndër vite me misionin e USAID në Shqipëri ku janë realizuar projekte të mëdha dhe të suksesshme në fusha të ndryshme.
Zoti Barnhart u shpreh i nderuar për të drejtuar misionin e USAID-it në vendin tonë ndërsa tha se suksesi i projekteve të USAID në Shqipëri është bazik dhe kështu do të vijojë edhe në të ardhmen.
Në mënyrë të veçantë gjatë takimit u vu theksi tek projektet për sistemin e drejtësisë, të cilat, tha Kryetarja e Kuvendit janë thelbësore për konsolidimin e shtetit të së drejtës. Ajo theksoi rëndësinë e dixhitalizimit të sistemit të drejtësisë, si një nga mjetet më të forta për të bërë transparencë dhe luftuar korrupsionin.
Ambasadori Arvizu dhe z.Barhart njohën Kryetaren e Kuvendit me një sërë projektesh të reja të rëndësishme të USAID që do të realizohen në të gjithë vendin dhe kanë në qendër çështjet sociale, nxitjen e vlerave kulturore, turizmit, forcimin e partnershipit midis autoriteteve lokale etj.
Kryetarja e Kuvendit çmoi rëndësinë e mbështetjes së USAID duke shprehur gatishëmrinë për të bashkëpunuar me këtë mision në projekte të rëndësishme siç është lufta kundër dhunës në familje, lufta kundër kancerit të gjirit si dhe barazia gjinore.