Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ka zhvilluar një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan.
Në këtë takim, Ministri Hoxhaj ka falënderuar Ministrin e Emirateve për mbështetjen që ky shtet i ka dhënë popullit të Kosovës para dhe pas shpalljes së pavarësisë.
Hoxhaj ka kërkuar edhe më tutje përkrahjen e Emirateve të Bashkuara në përmbyllje e procesit të njohjeve për Republikën e Kosovës.
Nga ana tjetër, Ministri i Punëve të Jashtme i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan ka siguruar Ministrin Hoxhaj se Emiratet e Bashkuara Arabe do të shtrijnë ndikimin e tyre të fuqishëm në shumë vende arabe për të pranuar pavarësinë e Kosovës.
Në këtë takim dy ministrat kanë diskutuar edhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit bilateral, sidomos në fushën e bashkëpunimit ekonomik.
Me këtë rast, Ministri Hoxhaj ka ftuar investitorët e këtij shteti që të investojnë në Republikën e Kosovës.
Dy ministrat janë pajtuar se duhet të ketë intensifikim të marrëdhënieve sidomos në fushën e tregtisë, shëndetësisë, edukimit, energjetikës dhe infrastrukturës.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj gjatë qëndrimit në New York do të zhvillojë shumë takime me përfaqësues të shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, në përpjekje për të siguruar njohje për Kosovën.
Ai po ashtu do të zhvillojë takime bilaterale me përfaqësues të shteteve të fuqishme të botës, për të thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat me këto shtete.