English

Azerbajxhani i interesuar për investime energjitike dhe turizëm në Shqipëri

Gjatë qëndrimit në Nju Jork, Ministri i Punëve të Jashtme, Z. Edmond Panariti, u takua me Ministrin e Punëve të Jashtme te Azerbajxhanit, z. Elmar Mammadyarov.

Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan rëndësinë e angazhimit të dyanshëm në funksion të nxitjes e konkretizimit të mëtejshëm të marrëdhënieve në të gjitha sferat me interes të ndërsjellë.

Ministri Panariti, duke u ndalur në fushën e bashkëpunimit ekonomik e tregtar, vuri në dukje se ai nuk i pёrgjigjet interesave dhe mundësive që ofrojnë Shqipëria dhe Azerbajxhani. Ai nënvizoi se Shqipëria vlerëson bashkëpunimin në sferën e energjitikës dhe ka mbështetur projektin TAP, duke u angazhuar në funksion të plotësimit të të gjitha kërkesave ligjore e teknike në këtë drejtim.

Në takim u theksua se për vendosjen e këtij bashkëpunimi në baza të shëndosha, rëndësi të madhe ka edhe përgatitja e kuadrit ligjor të nevojshëm. Mes dy vendeve ka një sërë projekt-marrëveshjesh, të cilat do të gjejnë shumë shpejt edhe rrugën e konkretizimit, pasi ekziston vullneti për arritjen dhe vënien në jetë të tyre.

Ministri Mammadyarov theksoi se Azerbajxhani është i interesuar për investime në Shqipëri në fushën e naftës dhe të gazit, por edhe në infrastrukturë, turizëm si dhe për nxitjen e bashkëpunimit në fushën e agrobiznesit, kulturës, arsimit etj.

KOMENTE