Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë qëndrimit në New York, ka zhvilluar një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Bahamës, Frederick A. Mitchell.
Gjatë bisedës, Ministri Hoxhaj tha se Kosova dhe Bahama ndajnë vlera të përbashkëta të përpjekjeve për liri dhe demokraci.
Hoxhaj po ashtu e ka informuar homologun Mitchell për progresin e madh që është arritur në Kosovë në procesin e ndërtimit dhe konsolidimit të gjithanshëm të shtetësisë, pas shpalljes së pavarësisë.
Ai theksoi suksesin që është arritur në të gjitha fushat, duke veçuar edhe largimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës,
“Kosova është një vend me pavarësi dhe sovranitet të plotë dhe janë pothuajse gjysma e shteteve anëtare të OKB-së që e kanë njohur Kosovën. Andaj, edhe Bahama duhet t’i bashkohet vendimit të shteteve sovrane demokratike, duke e njohur Kosovën”, tha Hoxhaj, gjatë takimit me Mitchell.
Në anën tjetër, Ministri i Punëve të Jashtme të Bahamës, Frederick A. Mitchell shprehu simpatinë e shtetit të tij për pavarësinë e Kosovës, duke theksuar se Bahama do të jetë përkrah shtetit të Kosovës.