English

Haxhinasto dhe Gaiani vizitë në kompanitë që janë financuar nga Linja e Kredisë Italo-Shqiptar

Zv.Kryeministri dhe Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Edmond Haxhinasto, së bashku me Ambasadorin e Italisë në Tiranë, z. Massimo Gaiani zhvilluan sot një vizitë në dy ndërmarrje në Lushnje dhe Patos.

Haxhinasto dhe Gaiani vizituan kompaninë “Përpunim Mermer-Granit” sh.p.k, që operon në fushën e përpunimit dhe tregtimit të mermereve dhe graniteve dhe “Picari” sh.p.k, kompani prodhim këpucë, të cilat janë financuar, për një pjesë të investimeve të tyre, nga Linja e Kredisë prej 25 milion Euro e Programit Italo-Shqiptar për zhvillimin e SME-ve në Shqipëri.

Zv.Kryeministri dhe Ministri i METE u shpreh se Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme japin një kontribut të rëndësishëm për ekonominë shqiptare dhe konfirmoi edhe njëherë mbështetjen e qeverisë për rritjen dhe zhvillimin e tyre.

Gjatë vizitës në këto kompani z. Haxhinasto theksoi se është e domosdoshme mbyllja e ciklit të prodhimit në Shqipëri si dhe krijimi i brandeve shqiptare.

Ministri Haxhinasto falenderoi qeverinë italiane dhe zyrën e saj të Bashkëpunimit me Shqipërinë për mbështetjen financiare në kuadër të Programit për Zhvillimin e SME-ve në vendin tonë. Ministri i konsideroi programet e bashkëpunimit me Italinë si të suksesshme edhe përsa i përket rritjes së punësimit në vendin tonë. Në këto dy ndërmarrje janë punësuar mbi 350 punonjës.

Aktualisht në vendin tonë operojnë rreth 100 mijë ndërmarrje të vogla dhe të mesme, që kontribuojnë në mbi 80% të PPB. SME-të përfaqësojnë 99.9 % të numrit të përgjithshëm të ndërmarrjeve dhe mbulojnë rreth 82 % të numrit të përgjithshëm të punonjësve.

Për Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe për qeverinë shqiptare, marrëdhëniet me Italinë janë të një natyre strategjike për vendin.

Nga ana e tij, Ambasadori i Italisë në Shqipëri, z. Massimo Gaiani tha se qeveria italiane do të vazhdojë mbështetjen për këtë sektor edhe në të ardhmen, duke forcuar kështu marrëdhëniet e bashkëpunimit ekonomik mes Italisë dhe Shqipërisë.

Në vizitën e tyre, Zv.Kryeministri Haxhinasto dhe Ambasadori Gaiani shoqëroheshin dhe nga Drejtori i Kooperacionit Italian për Zhvillim, z. Andrea Senatori.

KOMENTE