Koço Danaj, kryetari i Listës Shqipëria natyrale është shprehur në deklaratën e tij rajoni i Ballkanit, përkundër propagandës demagogjike të Brukselit, ndodhet në prag të trazirave dhe konflikteve të cilat mund të shndërrohen në Luftën e Tretë Ballkanike.
Deklarata e Danaj vjen pas një studimi 6 mujor të Institutit të Prognozave Rajonale. Sipas Danajt, ka disa vatra në rajon të cilat janë të gatshme për të ndezur zjarrin e trazirave dhe të luftës.
“Vatra e parë është Greqia. Krize totale, falimentim i pashmangshëm. As qeveria aktuale, nuk i jep dot zgjidhje. Tërheq vëmëndjen fakti që raporti i Trojkës u shty pas zgjedhjeve në SHBA. Ndërkaq, neonazistët grekë, vazhdojnë të ngjiten në shkallët e sondazheve, ata sot janë në vënd të tretë. Mjetet paqesore duket se kanë shterruar. Këtë situatë e shmang vetëm lufta. Greqia po përgatitet të eksportojë krizën e saj totale. Por jo në trojet greke. Por në trojet shqiptare dhe maqedonase. Cili do të jetë preteksti? Regjistrimi i popullsisë në Shqipëri. Po ku? Jo në Sarandë, jo në Gjirokastër, ndoshta në Himarë, ndoshta në Korçë. Do akuzohet qeveria Shqiptare se ka fallsifikuar të dhënat e regjistrimit dhe do nxiten një apo disa grupe njerëzish të fillojnë trazirat. Ose ne trojet maqedonase, në Krushevë ku pretendon se ka një minoritet grek. Anullimi i regjistrimit nga Nikola Gruevski, e ka shtyrë në kohë përdorimin e këtij preteksti, por nuk e ka fshirë”.
“Vatra e dytë është Maqedonia. Kërcënimet e Gruevskit ndaj shqiptarëve se ata nuk duhet të kërkojnë më shumë se sa mund t’ju japë ai në shtetin e tij, urrejtja e tij ndaj UÇK-së dhe dëshmorëve të saj të vitit 2001, vendosmëria e tij për të mos u tërhequr nga kjo vijë përballë asnjë presioni, treguan dhe vërtetuan para opinionit publik shqiptar në Maqedoni, përballë bashkësisë ndërkombëtare se shovinizmi maqedonas nuk ka ndërmënd të pranojë bashkejetesë mbi baza të barabarta me shqiptarët. Në të kundërt, Gruevski foli hapur dhe thjesht. Ai i kërcënoi shqiptarët dhe politkanët shqiptarë. Ai u shpreh hapur se nuk trëmbet, se nuk tërhiqet, se nuk mund të vendosë shënjën e barazimit midis branitellave dhe ish-luftëtarëve të UÇK. Këta të dytët, ai nuk hezitoi t’i konsiderojë terroristë. Thjesht Gruevski u shfaq si një nacional socialist”.
“Vatra e tretë është dhe mund të jetë Bosnja. Ajo qeveriset pjesë pjesë. “Majtisti” serb, Milorad Dodik pritet të bëjë referendumin për shkëputje. Në ceremoninë e betimit të tij si president mori pjesë edhe ish-presidenti serb, Boris Tadic. Brukseli e miratoi këtë veprim. Ndërkaq në lojë është futur edhe Turqia që e konsideron Bosnjën si provinën e 81-të të saj. Deklaratat e fundit të kryeministrit Reccep Tayyip Erdogan se çdo boshnjak duhet të lindë të paktën pesë fëmijë, është deklaratë lufte.
“Vatra e katërt është veriu i Kosovës. Ajo nuk e njeh qeverinë legjitime të Prishtinës. Ajo drejtohet nga shërbimi sekret sërb. Deklarata e fundit e kryeministrit serb, Ivica Dacic” se ndarja e Kosovës është zgjidhja më e mirë, është në thelb një deklaratë lufte”.
Danaj tha se e gjitha kjo është një prognozë e bazuar mbi një analizë të ftohtë të fakteve jashtë propagandës dhe manipulimit demagogjik të Brukselit.
“Natyrisht prognoza nuk është e plotë. E tillë, pra e plotë ajo është në dosjet e shërbimeve sekrete që operojnë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Sërbi, Bosnjë, Greqi, Uashington, Moskë apo Bruksel. E vërtetë është kriza totale e BE, ashtu sikurse është e vërtetë se Barroso deklaroi që BE ka vdekur dhe në vënd të saj duhet të lindë federate e shteteve europiane”.
Në fund të deklaratës, Danaj është shprehur se ka një rrugëdalje nga kjo situatë shumë e turbullt.
Para një shekulli, tre shqiptarë mëndje ndritur, të quajtur Mehmet Konica, Filip Noga dhe Rashi Dino, në Memorandumin drejtuar mbledhjes kolonialiste të Londrës në Janar 1913, midis të tjerash i shkruanin se: Po t’i pengoni shqiptarët që të bashkohen, ne ju njoftojmë se ky rajon nuk do të ketë paqe për një shekull. Londra i pengoi shqiptarët duke i coptuar në mënyrë kriminale dhe për një shekull, rajoni nuk pati qetësi”.
“Pra zgjidhja është e thjeshtë për Brukselin dhe Uashingtonin: Zëvëndësoni boshtin Beograd-Athinë, me Trekëndëshin Beograd-Tiranë-Athinë, lejoni, Shqipërinë Natyrale, lejoni bashkimin e shqiptarëve në një shtet. Vetëm atëhere, vatrat e zjarrit do shuhen. Boshti që krijuat për gati një shekull prodhoi kriza dhe luftë. Perustija (Trekëndëshi), stabilizon rajonin, por ndihmon edhe Brukselin, ndërsa ballkanasit do të jetojë në paqe dhe ta kapërcejë krizën me paqe dhe jo me luftë rajonale që mund të kthehet edhe në luftë europiane”.