Këshilli i Ministrave miratoi sot, në parim, marrëveshjen tripalëshe, ndërmjet qeverisë së Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë, për bashkëpunimin për projektin e gazsjellësit Trans Adriatik (TAP).
Duke prezantuar rendin e ditës, Kryeministri Berisha e veçoi këtë marrëveshje si një vendim “të një karakteri historik” për Shqipërinë dhe rajonin, në bazë të së qëndron realizimi i “investimit më madhor rajonal i të gjitha kohërave”.
Kryeministri Berisha theksoi se gazsjellësi Trans Adriatik ndryshon në mënyrë thelbësore bashkëpunimin midis vendeve rajonit e më gjerë, sikundër edhe jetesën e qytetarëve shqiptarë, pasi gazi garanton ngrohjen dhe gatimin me koston më të ulët, se të çdo lënde tjetër.
Shqipëria, tha Kryeministri, falë avantazheve të saj ka të gjitha mundësitë për t’u bërë një qendër e fuqishme e shpërndarjes së gazit si drejt gadishullit Apenin, por edhe drejt veriut të Ballkanit.
Kryeministri u shpreh optimist se gazsjellësi Trans Adriatik do të jetë projekti fitues për transportin e gazit nga fusha e Shah Deniz 2 në detin Kaspik, pasi ai është projekti më fizibël dhe më ekonomik ndër të gjitha projektet e tjera.
Investimi për këtë projekt në Shqipëri shkon në 2 miliardë dollarë. Ky projekt i hap rrugë edhe ndërtimit të rrjetit të gazifikimit në vend.