Kryeministri Berisha tha sot, se zhvillim kalon nga dyert e shkollës, ndaj konsolidimi i një sistemi arsimor modern është përparësia më madhore e qeverisë, ndërsa inauguroi një tjetër shkollë në Kamzë, shkollën 9-vjeçare “Ahmet Zogu”, investim prej 187 milionë lekë.
“Çdo hap drejt dritës, është hap drejt punësimit, është hap drejt prosperitetit, është hap drejt zhvillimit. Për ne, çdo zhvillim kalon nëpërmjet dyerve e bankave të shkollës, ndaj jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për një sistem arsimor modern,” – tha Kryeministri, në përshëndetjen e tij, me rastin e inaugurimit të shkollës, për të cilën u shpreh se edhe kjo shkollë e standardeve europiane është dëshmi e radhës e vendosmërisë dhe përkushtimit për ta vendosur arsimin në krye të përparësive.
Ndërsa vlerësoi arritjet në modernizimin e infrastrukturës arsimore me ndërtimin e rindërtimin e 1300 shkollave, shtrirjen e internetit në çdo shkollë, rritjen me 120 përqind të pagës së arsimtarit, rritjen në 92 përqind të numrit të nxënësve që vazhdojnë shkollën e mesme dhe në 70 përqind të atyre që vazhdojnë shkollën e lartë, duke i konsideruar këto ndër treguesit më të mirë të vendeve të zhvilluara, Kryeministri theksoi si sfidë të radhës në arsim, rritjen e cilësisë.
Kryeministri Berisha e cilësoi gjithashtu, një lajm shumë pozitiv vendimin e bashkisë së Tiranës për të nisur këtë vit ndërtimin e 10 shkollave të reja, duke lënë në këtë mënyrë pas, vitet e gjata të mos konsiderimit të arsimit si çështje madhore për kryeqytetin.
Mbështetja e fuqishme e arsimit dhe e përparësimit madhor të shkollimit të fëmijëve, tha Kryeministri, është alternativa që ofron kjo mazhorancë, përballë alternativës së injorimit të arsimit, e cila u shoqërua me një rritje të shpejtë të analfabetizmit dhe largimit masiv të arsimtarëve nga shkollat, sepse me ato të ardhura nuk përballonin kurrsesi jetesën.