English

Kardinali Abril Y Castello pritet në takim nga Jozefina Topalli

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti sot në një takim Eminencën e Tij në Vatikan, Kardinalin Abril Y Castello, i cili ndodhet për në një vizitë në Shqipëri.

Pasi uroi mirëseardhjen, Kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e gjithanshme që Vatikani ka dhënë ndaj Shqipërisë, jo vetëm në inkurajimin dhe kapërcimin e momenteve të vështira që la pas regjimi komunist por në gjithë rrugën e zhvillimit të vendit ndër vite.

“Vij me shumë kënaqësi në Shqipëri, një vend për të cilin unë kam shumë njohuri. Unë ndodhem këtu në emër të Shkëlqesisë së tij, Papa Benediktit XVI, i cili ndjek me shumë vëmendje dhe interes zhvillimet në Shqipëri dhe mesazhi që ne duam të përcjellim është ai i mbështetjes për Shqipërinë dhe popullin shqiptar” u shpreh Kardinali Abril Y Castello.

Kryetarja Jozefina Topalli dhe Kardinali Abril Y Castello u ndalën gjerësisht tek modeli i jashtëzakonshëm që Shqipëria përcjell për mbarë botën në lidhje me tolerancën dhe harmoninë ndërfetare. “Shqipëria shërben si një shembull me të cilën i flet mbarë botës se si bashkëjetohet në solidaritet, tolerancë dhe harmoni fetare. Është një ndër të paktat vende ku numri i strehimit të hebrenjve gjatë Holokaustit u rrit në krahasim me periudhën para luftës. Në ditët e sotme, kur shumë vende përballen me akte dhune, Shqipëria është një model që i tregon njerëzimit vlerat e vërteta të bashkëjetesës fetare” tha Kryetarja e Kuvendit.

Kardinali Abril Y Castello shprehu mbështetjen e Vatikanit dhe vlerësoi përpjekjet dhe aspiratën e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian ndërsa theksoi se ka ardhur koha që Europa të jetë e bashkuar me vlerat dhe solidaritetin e bashkëjetesës.
“Më lejoni t’iu shpreh mbështetjen e Vatikanit në rrugën drej anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Shqipëria ka shumë se çfarë t’i japë Europës, është një vend i vogël por me shumë vlera të mëdha, të cilat Europa duhet t’i ketë si pjesë të saj. Shekujt që kanë kaluar na kanë dhënë shumë mësime, ndaj dhe sot është koha që Europa të jetë e bashkuar me vlerat dhe solidaritetin e bashkëjetesës” u shpreh Eminenca e tij, Castello.

Gjatë takimit, Kryetarja Jozefina Topalli kërkoi mbështetjen e Kardinalit Abril Y Castello për martirizimin nga ana e Vatikanit të 40 klerikëve shqiptarë të ekzekutuar në vitin 1944 nga diktatura komuniste. Kardinali Abril Y Castello, theksoi se do të bëhej avokat i kësaj çështje në Vatikan, si një kauzë të rëndësishme, që siç tha ai, e ka ndjekur vet personalisht.

Kardinali Abril Y Castello i shprehu Kryetares Jozefina Topalli urimet më të mira me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, ku me këtë rast Vatikani do të sjellë për t’u ekspozuar në Tiranë veprën origjinale më të lashtë në gjuhën shqipe, Mesharin e Gjon Buzukut, e cila daton që prej vitit 1555.

KOMENTE