English

Kryetari i Ri i KQZ-së. Njëanshmëria është shumë e qartë

Komisioni i ligjeve është mbledhur për të shqyrtuar kandidatët për anëtarë të KQZ propozime të partive të vogla. Mirëpo kryetari i komisionit Rusmali në mënyrë të papritur dhe në shkelje të rregullores dhe proçedurave ka shpërndarë listën me kandidatë për kryetarë të KQZ. Përfaqësuesi i PS në komision të ligjeve Damian Gjiknuri tha se se akti i bërë nga kryetari i komisionit është në shkelje të plotë të procedurave. Gjiknuri e ka cilësuar të papranueshme këtë sjellje arbitrare të palës tjetër.

Prononcim për media i Sekretarit për Çështjet Zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri:

Kemi të bëjmë me një mbledhje të pa lajmëruar, në shkelje të procedurave. Siç e dini ligji e ka parashikuar që procedura për zgjedhjen e kryetarit fillon vetëm pas miratimit nga ana e Kuvendit të anëtarëve të KQZ-së. Sot ishte dita që miratoheshin anëtarët e KQZ, të cilët në mënyrë konsensuale u ranë dakord, kishim edhe kandidaturat e paraqitura nga paritë e vogla dhe në këtë seancë normalisht do të miratoheshin këto kandidatura.
Zoti Rusmali, kryetari i këtij komisioni, në mënyrë të beftë pa lajmëruar kërkënd, tentoi që të fuste listën e kandidatëve për kryetar të KQZ që kanë aplikuar, një listë që vetëm dje është bërë publike. Një listë që vetëm sot na u dha zyrtarisht me dokumentacion dhe kjo për ne është e papranueshme.
Së pari, nuk i jep kohë Partisë Socialiste. Së dyti, është një procedurë që zhvillohet jashtë procedurës së zgjedhjes së anëtarëve. Ne kërkuam në mënyrë krejt normale brenda rregullores të caktojmë një datë ku të shqyrtojmë dokumentacionin dhe të organizojmë një procedurë të seancës dëgjimore, me këta kandidatë siç e ka Rregullorja e Kuvendit.

U kundërshtua nga ana e mazhorancës, u përdorën epitete fyese dhe ka pasur një shkëmbim fjalësh. Por ajo që duhet t’i interesojë publikut më shumë sesa shkëmbimi i fjalëve është shkelja e rëndë që po i bëhet ligjit, mënyra e beftë, mënyra e pabesë dhe mbi të gjitha njëanshmëria që po tentohet dhe me zgjedhjen e kryetarit të KQZ-së. Ndërkohë që ju po e shikoni shumë mirë që thirrjet e të gjithë partnerëve ndërkombëtarë, konsensusi mes palëve ka qenë që të ndjekim një procedurë transparente, gjithëpërfshirëse, që të kemi një kryetar KQZ-je dinjitoz. Kjo është e vërteta dhe nuk ka asnjë të vërtetë tjetër.

Në qoftë se arrihet konsensusi mund të votohen sot 6 anëtarët e KQZ-së?

6 anëtarët mund të votohen sot, sepse konsensusi është arritur për ta. Do vetëm mbështetjen nga grupet reciproke për kandidatët e paraqitur nga partitë e vogla dhe procedura mund të mbyllet farë mirë sot.
Ndërkohë që kërkuam dhe unë nuk e di çfarë ka jo normale këtu, ditën e hënë ose ditën e martë të lëmë seancën në komisionin e ligjeve për proçedurat për kryetarin e KQZ-së. Mënyra si duan ta bëjnë, ta lidhin me këtë proçes të lë një shije të keqe dhe tregon tendencën e qartë përsëri për njëanshmëri dhe uzurpim të kreut të KQZ-së. Është një gjë shqetësuese, që në hapat e para po tentohet të prishet çdo lloj klime për përgatitjen e zgjedhjeve.

KOMENTE