Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ka zhvilluar një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Singaporit, Kasiviswanathan Shanmugam.
Me këtë rast, Ministri Hoxhaj edhe zyrtarisht ia ka dorëzuar Ministrit të Singaporit kërkesën formale për njohjen e pavarësisë së Kosovës shtet sovran dhe të pavarur.
Ministri Hoxhaj ka thënë se shtetet e vogla si Singapori dhe Kosova duhet të mbështesin njëra-tjetrën.
“Ne jemi të interesuar të lidhim marrëdhënie diplomatike, por paraprakisht Singapori duhet të njohë edhe formalisht pavarësinë e Kosovës”, ka theksuar Hoxhaj.
Ministri Hoxhaj ka thënë se pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila ka konfirmuar legalitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, asnjë shtet nuk kanë arsye që të zvarrisë njohjen e Kosovës.
Nga ana tjetër, Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Drejtësisë, Kasiviswanathan Shanmugam ka thënë se shteti i tij do ta shqyrtojë kërkesën e Ministrit Hoxhaj për të njohur Kosovën.
Ai ka siguruar Ministrin Hoxhaj se Singapori ka një qëndrim shumë pozitiv për shtetin e pavarur të Kosovës.
Ministri Hoxhaj gjatë këtij viti ka vizituar disa herë shtete të ndryshme të Oqeanisë, në përpjekje për të përmbyllur procesin e njohjeve.