English

Kallëzimi penal ndaj Behgjet Pacollit, përfundon në EULEX

Behgjet Pacolli është zyrtari më i lartë i shtetit mbi të cilin rëndojnë akuzat se ka kryer vepër penale përmes falsifikimit dhe mashtrimit. Kallëzimi penal, i ngritur kundër tij nga Agjencia Antikorrupsion, tashmë është në duar të prokurorëve të EULEX-it. Zyrtarë të lartë institucionalë e shohin të udhës që ai të lirohet nga detyra, derisa organet e drejtësisë ta thonë fjalën e fundit rreth “aferave” në të cilat dyshohet të jetë përfshirë ai kohëve të fundit

Burime të afërta me AKK-në i kanë konfirmuar “Kohës Ditore” se kallëzimi penal është deponuar të enjten pasdite në duar të prokurorëve evropianë që veprojnë në Kosovë. “Kallëzimi penal është dorëzuar tek prokurorët e EULEX-it dhe tash është në kompetencë të tyre ta shqyrtojnë nëse ka bazë për të ngritur aktakuzë kundër Pacollit, ose jo”, ka thënë burimi i gazetës. Në EULEX kanë konfirmuar se e kanë pranuar një lëndë nga AKK-ja, por pa dhënë shpjegime të tjera. “Prokuroria Speciale e ka pranuar një kallëzim penal nga Agjencia Antikorrupsion, mirëpo ne nuk mund të japim detaje të lëndës së pranuar”, ka deklaruar zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi. As Agjencia Kundër Korrupsionit në vijë zyrtare nuk ka pranuar të flasë për rastin.

Pacolli aktualisht gjendet në New York bashkë me dhjetëra zyrtarë të tjerë të Qeverisë. Jetlir Zyberaj, njëri nga këshilltarët që është duke e shoqëruar atje,

Në vend të përgjigjes ka pyetur: “Kush ju ka thënë juve se është ngritur kallëzim penal”.

Pacolli ka qenë duke u hetuar për konflikt interesi, për shkak se vitin e kaluar ka nënshkruar disa memorandume të bashkëpunimit në Nigeri në emër të bizneseve evropiane. Pas publikimeve të fakteve të reja në “Kohën Ditore”, AKK-ja pati nisur hetimet “ex officio” për të vërtetuar nëse dokumentet që ka ofruar Pacolli gjatë hetimeve të para kanë qenë valide apo të rrejshme. Pas disa muaj hetimesh, AKK-ja ka ardhur në përfundim se Pacolli kishte falsifikuar dokumentet dhe njëkohësisht i kishte mashtruar hetuesit e AKK-së.
(Koha Ditore)

KOMENTE