English

Toleranca fetare në Shqipëri treguesi më epror

Kryeministri Berisha mori pjesë paraditen e sotme në punimet e Konferencës shkencore "Kontributi i Prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes dhe identitetit kombëtar", organizuar me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Bashkësia Islame e Kosovës dhe Bashkësia Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin drejtues të lartë dhe udhëheqës shpirtërorë të institucioneve të ndryshme fetare nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, Ambasadorë të Trupit Diplomatik të Akredituar në Tiranë, besimtarë të shumtë, etj.

Kryeministri Berisha, duke shprehur mirënjohjen më të thellë për veprën e ndritur të të gjithë udhëheqësve shpirtërorë të këtij kombi, tha se elita fetare e vendit ka meritat më ta para nga të gjitha elitat e tjera. Në këtë kontekst, Kryeministri iu referuar faktit se kombi shqiptar ka një specifikë që nuk e ka asnjë komb tjetër; tolerancën fetare, që është një diamant i vërtetë i qytetërimit të kombeve. “Nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë tregues më epror për qytetarinë e një kombi, sesa toleranca fetare”, theksoi Kryeministri.

Kryeministri vuri në dukje se roli dhe kontributi i udhëheqësve shpirtëror të kombit, i udhëheqësve të besimit mysliman, besimit ortodoks, katolik e të besimeve të tjera, në 100 vitet e pavarësisë së Shqipërisë, është injoruar dhe është harruar, përgjatë diktaturës në Shqipëri, por edhe për shkak të pushtuesve në Kosovë e në troje të tjera etnike shqiptare. Kjo është një e vërtetë shumë e hidhur, nënvizoi Kryeministri, që ka shpjegimin e vet të qartë, sepse për diktaturën e diktatorin në Shqipëri, armik më të egër se besimet te Zoti, besimet e mëdha, nuk kishte. “Ky kapitull i rëndësishëm i historisë sonë, duhet të dalë e të vendoset në piedestalin që meriton”, tha Kryeministri.

KOMENTE