English

29 shtatori, Dita kombëtare e Trashgimisë Kulturore

Me rastin e 29 shtatorit, “Dita kombëtare e Trashgimisë Kulturore” dhe të 100-vjetorit të Pavarësisë dhe krijimit të Forcave të Armatosura në Qendrën e Kulturës, Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes u zhvillua aktiviteti “Të njohim vlerat dhe rëndësinë e trashëgimisë kulturore shqiptare”. Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe hapja e një ekspozite me objekte të Trashëgimisë Kulturore: foto historike, objekte tradicionale, kostume dhe veshje popullore, artizanale, jetësore, vegla muzikore etj.

Në këtë aktivitet ishte i pranishëm ministri i mbrojtjes, z. Arben Imami, zv. Kryetari i Akademisë së Shkencave, Myzafer Kërkuti, drejtori i Parkut Arkeologjik të Apollonisë, z. Marin Haxhimihali, si dhe familjarë dhe ushtarakë të tjerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA. Fillimisht, ministri i Mbrojtjes Imami dhe personat që e shoqëronin vizituan ekspozitën e arteve pamore të fëmijëve të ushtarakëve dhe ekspozitën e objekteve të trashëgimisë kulturore të familjarëve të ushtarakëve të vendosura në hollin e QKMBM. Më pas ato ndoqën një program me këngë tradicionale, poezi dhe krijimtari të tjera letrare nga fëmijët e kurseve që ka hapur QKMBM për fëmijët e ushtarakëve. Të pranishmit kanë ndjekur edhe një film dokumentar kushtuar “Dëshmorëve të Monumenteve” major Kamber Bënja, Bexhet Manastirliu dhe Abaz Taushani. Këto aktivitete të realizuar nga Sektori i Rekreacionit të kësaj Qendre kanë performuar një nivel të lartë artistik të fëmijëve të ushtarakëve që përgatiten në kurset e hapura për këtë qëllim.

Në fund të kësaj veprimtarie ministri Imami dekoroi me medaljen “Për Shërbime të Shquara” tre “Dëshmorët e Monumenetve” major Kamber Bënja, Bexhet Manastirliu dhe Abaz Taushani me motivacionin për kontribut të shquar në ruajtjen e pasurisë kulturore të vendit. Me këtë rast, ministri Imami, ka falënderuar QKMBM që bëri të mundur në këtë Ditë të Trashëgimisë dhe vlerave të kulturës sonë të krijojë një mjedis të përshtatshëm, madje edhe me vlera të veçanta për këtë ditë. “Dita që një vend, një komb përkujton trashëgiminë e vendit të tij, është dita kur ai komb do të duhej të reflektonte për identitetin e tij. Është e qartë se ne si komb jemi detyruar të mbijetojmë dhe kemi pasur pak kohë për refleksion, por do të na duhet kur të vijë momenti që të reflektojmë shumë më tepër e madej me shumë më tepër respekt për heronj si Kamber Benja, Bexhet Manastirliu dhe Abaz Taushani. Prandaj dhe në këtë rast vendosa të jap për këta tre dëshmorë medaljen më të lartë që ka Ministria e Mbrojtjes për ushtarakët shqiptarë”, - theksoi z. Imami. Më tej, duke vlerësuar veprën e tyre, ministri Imami ka nënvizuar se, ata ishin njerëz që ishin përfshirë në lëvizjen kombëtare, ishin njerëz që ishin të iluminuar me idealet e Rilindjes sonë Kombëtare dhe e dinin se çfarë vlere ka trashëgimia kulturore, identiteti i një vendi. Mesazhi i rilindjes sonë në thelb është përpjekja për të rizgjuar thelbin e identitetit tonë kombëtar, sepse një vend nuk ka vetëm kilometrat katrorë që e bëjnë atë vend, një vend janë njerëzit, ata që kanë vdekur, ata që janë gjallë dhe ata që do të vijnë dhe një vend e bën padyshim identiteti tij.

“Që të mbrosh atdheun do të thotë të mbrosh gjuhën tënde, kulturën tënde dhe identitetin tënd. Këta tre heronj të mëdhenj që janë mbiquajtur të monumenteve nuk e dhanë jetën thjeshtë për kilometrin apo metrin llogor ku ishin të rreshtuar, pasi nuk kishin luftuar pak, por ishin të gatshëm të jepnin jetën për vendin. Ne japim këtë dekoratë për veprën e tyre të madhe në mbrojtje të identitetit tonë kombëtar, në mbrojtje të vlerave më të rëndësishme të qytetërimit shqiptarë si një nga qytetërimet themel të qytetërimit evropian” - është shprehur në fund të fjalës së tij ministri Imami.
Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore ka në thelb të saj rënien e veprimtarit të lëvizjes atdhetare, dëshmorit të monumenteve, Kamber Bënjës dhe zhvillohet paralelisht, në fund të muajit shtator, me aktivitetin “Ditë të Trashëgimisë Kulturore”, një aktivitet i cili kulmon fushatën e Këshillit të Evropës: “Europa, një trashëgimi e përbashkët”. Në themel të kësaj dite qëndron akti patriotik dhe atdhetar i ushtarakëve: Kamber Bënja, Bexhet Manastirliu dhe Abaz Taushani, të cilët ndaluan plaçkitjen dhe vjedhjen e objekteve arkeologjike të parkut të Apollonisë, në vitin 1916, gjatë Luftës I Botërore. Major Kamber Bënja, me Nr. vendimi 26 të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit të Rrethit, datë 29.04.1971, u shpall “Dëshmor i Popullit”.

KOMENTE