Kryeministri Berisha vizitoi dje në mesditë ekspozitën personale të piktorit Myftar Cubi, me titull: “100 vjet, Atdheu im i dashur”, e çelur prej disa ditësh në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar. Kjo ekspozitë e veçantë përmban portrete historike, materiale etnografike e lirike, në mozaikë të realizuar me gurë natyror. Kryeministri Berisha shoqërohej në këtë vizitë nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Aldo Bumçi, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulëzim Basha dhe Drejtori i Muzeut Kombëtar Luan Malltezi.
Kryeministri Berisha u njoh nga afër me materialet artistike të ekspozitës dhe e vlerësoi atë si shumë mbresëlënëse, një ekspozitë ku janë derdhur në mozaikë historia, etnografia, lirikat dhe bukuritë shqiptare. Kryeministri theksoi se ky art, ndër më të vështirët në krijim, në imagjinatë dhe në realizim, i mjeshtrit Myftar Cubi, pasuron një traditë të hershme, duke pasur parasysh se në trojet tona gjenden disa nga mozaikët më të mirë të planetit, siç është “Bukuroshja e Durrësit”, “Mozaiku i Linit”, etj.
Kryeministri u shpreh se kishte mbetur i impresionuar nga portretet e burrave të shquar të kombit, në këtë 100 vjetor, që nisnin me prijësin e të gjithë 100 vjetorëve të shqiptarëve, Skënderbeun, me themeluesin e Pavarësisë së Kombit Ismail Qemalin, me tribunin legjendar Isa Boletinin, me Mbretin Zog, burrin që i bëri shqiptarët me shtet, e të tjerë portrete historike.