English

Ministria e Mbrojtjes: Pastrimi nga plehrat e komunizmit, do apo s’do zoti Braçe, do të bëhet

Ministria e Mbrojtjes përmes zëdhënëses znj. Lorisa Ylli, pasditen e sotme dha një deklaratë për shtyp në të cilën ishte përgjigjia ndaj deputetit socialist Erion Braçe.
Deputeti Braçe, i cili di të lexojë shpifjet shumë mirë, degjeneroi sot në shpifje dhe akuza për trafik armësh e municionesh të denja vetëm për një trafikant, sepse vetëm një mendje kriminale mund të imagjinojë dhe të dezinformojë në këtë formë opinionin publik.
Shifra marramendëse qindra milionëshe janë fantazi të mendjeve të sëmura pasi nuk dalin dot nga municionet tona të vjetra. Këto municione po nuk u shitën do të shkatërrohen me paratë e taksapaguesve. Ministria e Mbrojtjes po punon për ta ulur koston e barrës së rëndë që Partia e zotit Braçe i krijoi vendit në 50 vjet.
Ministria e Mbrojtjes do të bëjë të gjitha përpjekjet që këto municione të shiten dhe me këto para të mbështetet procesi i demontimit të municioneve të tepërta e të rrezikshme që na la trashëgimi partia kriminale e zotit Braçe. Ky është një proces tërësisht ligjor, transparent dhe i hapur për të gjitha kompanitë vendase e të huaja që operojnë në tregun e mallrave ushtarakë.
Pastrimi i ushtrisë nga plehrat e komunizmit, do apo s’do zoti Braçe, do të bëhet. Sepse ky është një parakusht për integrimin dhe fuqizimin e ushtrisë sonë, pavarësisht se Partia Socialiste është e vendosur në rrugën e bllokimit të integrimit. Do të ishte e pafalshme që Ministria e Mbrojtjes të mos e kryente këtë veprimtari që sot konsiderohet si model botëror.

Përpjekjet e Partisë Socialiste për të penguar e minuar reformat në Forcat tona të Armatosura, për ta pastruar atë nga mbetjet e të shkuarës, për ta modernizuar e përshtatur me standardet më të mira të Aleancës së Atlantikut të Veriut, do të marrin përgjigjet e merituara.
Publikimi dhe deklasifikimi i dokumenteve që përbëjnë sekret shtetëror është një përgjegjësi kriminale që ky zotëri po merr përsipër. Ministria e Mbrojtjes do të përdor të gjitha mjetet ligjore për të identifikuar shkelësit e ligjit që fshihen pas këtij akti kriminal.
Ministri i Mbrojtjes është i vendosur të çojë deri në fund reformat e ndërmarra, reforma që po transformojnë imazhin e Forcave të Armatosura, si brenda vendit ashtu edhe në sytë e aleatëve e partnerëve tanë. Çdo përpjekje për të hedhur baltë mbi këto reforma është thelbësisht antikombëtare dhe cënim flagrant i Sigurisë Kombëtare.

KOMENTE