English

Polifonia shqiptare emocionon të gjithë, në festivalin e Zagrebit (VIDEO)

O Devoll o syri yn' i bukur,
Zemra jonë je, Përmbi djep të punës na ke rritur
Shpirt e dritë jetës sonë i dhe Zemra jote hapur si behari Punë dhe këngë ndjell Historia jote gur i strallit.....

“Në Zagreb sapo kishin mbërritur 24 grupe këngëtarësh të ardhur nga vende të ndryshme të botës. Mes tyre ishim dhe ne, grupi folklorik i Ansamblit “Skënderbeu” të Korçës, me udhëheqës prof. as. Josif Mingën. Për 5 ditë me radhë, në festivalin ndërkombëtar të 44-të të Isopolifonisë, të organizuar nga UNESCO, ne do të prezantonim polifoninë e Toskërisë veriore shqiptare…”,

Me këto fjalë nis të tregojë mbresat e tij në festivalin e Zagrebit, këngëtari i dëgjuar popullor devolli, Endri Fifo për Devolli.net.

“Grupi ynë përbëhej nga 6 këngëtarë, vazhdon më tej Fifo, na mungonte i shtati, Fatmir Danglli nga Menkulasi i Devollit. Kishte vetëm pak ditë që ishte ndarë nga jeta, por neve na dukej sikur e kishim marrë zërin e tij me vete. Do të këndonim bashkë me të. Sigurisht zëri i tij ka mbetur mes këngëve të Devollit, ne po e çonim edhe në Zagreb të Kroacisë, mes 24 grupeve të ardhura nga vise të ndryshme të globit.

Katerina Duplançiç, e ardhur nga Spliti, një studente që po diplomohej për etnomuzikologe do të bëhej shoqëruesja jonë. Ishte vërtet një vajzë e këndshme. “Sot do t’u njoh me Zagrebin”, na tha ajo. Kishim të drejtën të udhëtonim falas, sepse sapo mbërritëm, bashkia na dha statusin e pjesëmarrësit të Festivalit. Zagrebi kishte një sipërfaqe prej 641 km2 me një popullsi rreth 1 milion banorë. Të gjitha këto do t’i mësonim nga Duplançiç. Ajo do të na fliste për kishat, për bibliotekën, për shtëpinë e prodhuesit të llambave Nikola Tesla, për përmendoren e King Kralit Tomaslav dhe të Bon Josip Jalashiç, do të na njihte me sheshet dhe historinë e kryeqytetit, pse jo edhe me baret dhe restorantet e këtij qyteti, ku do të rrëkëllenim edhe ndonjë birrë. Gjithçka po shkonte bukur.

Festivali

Kishte mbërritur nata e parë e shfaqjes. Skena ishte ngritur në një vend të tillë nga mund të shihej pjesa më e madhe e Zagrebit. Ishte një pamje e mrekullueshme. Nuk ishim pa emocione. Atë çast m’u kujtua sërish miku im, Fatmir Danglli, që kishte vetëm disa ditë që ishte ndarë nga jeta. “Do t’ia dalim mbanë, thashë me vete, sot zëri i tij do të bashkohet përsëri me zërin tonë”. Katerina Duplançiç po na uronte suksese. Prisnim që konferencieri të thërriste emrin e grupit tonë. Grupe këngëtarësh hynin dhe dilnin nga skena. Gjithnjë kishte duartrokitje. “A do të ndodhte kështu edhe me grupin tone”? Nuk vonoi shumë dhe ne dëgjuam që prezantuesi i festivalit të thoshte: “Dhe tani Ansambli “Skanderbeg”… Albaniaaa…!”. Gjithë shpirtrat e grupit tonë u përshkuan sërish nga emocioni. Ishte radha jonë. Nisa të këndoja këngën “Vallë vjen behari kurrë”. Kjo këngë ishte kënduar nga mjeshtrit e këngës popu
llore devollite, Nevruz dhe Ali Kondi. Ata e kishin ngritur në piedestal atë këngë. Na duhej që edhe ne ta mbanim po aq lart. Këngën ma priste Gëzim Mazelli nga Pogradeci. Ndjeva që ai po hynte me lirizmin e tij, zërat po gërshetoheshin ngrohtësisht, dilnin nga gjoksi ynë dhe përshkonin gjithë të pranishmit. Erdhi një çast dhe u dëgjuan duartrokitje. Kjo gjë më dha forcë. Kënga po përcillej me të gjitha bukuritë e saj. Përsëri duartrokitje. Këngëtari Avni Lushhka solli këngën “Si u bë kështu kjo jetë”. Zëri i tij po drithëronte zemrat e spektatorit. Një pjesë e tyre u ngrit në këmbë dhe nisi të thërriste “Shqipëria… Shqipëria… Shqipëria…”. Ishin që të gjithë shqiptarë. Po kaq emocionuese ishin edhe këngët e Koço Lalasit dhe Haki Kapes Etnomuzikologia Naila Ceribashiç, anëtare e komisionit në përzgjedhjen e materialeve që do të interpretoheshin, me shumë kënaqësi na tha: “Jeni të veçantë, zëri
juaj është i mrekullueshëm, keni vërtet këngë të bukura”. Jam i bindur se këto fjalë i dëgjoi dhe miku ynë Fatmir Danglli që tashmë nuk jeton më.

Pas festivalit

Sapo zbritëm nga skena, profesori Josif Minga na shtrëngoi dorën. Befas mes nesh u gjend edhe ambasadori ynë në Kroaci, Pëllumb Qazimi. Na përqafoi të gjithëve me radhë, duke na thënë: “Ju lumtë, na nderuat”! Një nënë kroate erdhi së bashku me djalin e saj, sepse i biri dëshironte të kishte një fotografi me ne. E veshëm me xhamadan, qeleshe dhe brez dhe pozuam. Edhe Katerina Duplançiç na uroi përzemërsisht. Vargu i njerëzve që dëshironte të ishte bashkë me ne është i gjatë. Bëjmë fotografi herë pas here. Janë të shumtë ata që dëshirojnë të kenë një foto me kostumet popullore shqiptare. Nuk kalon shumë dhe mes nesh gjendet edhe Diana Rexhepi, intelektualja e njohur e letrave kroate dhe shqiptare: “Jemi një komb me vlera të spikatura”, na thotë ajo. U prezantuam edhe me Anton Kaçinarin, Kryetarin e Shoqatës së Ushtarakëve në Kroaci. Ambasadori na mundësoi një bisedë telefonike edhe me baletmaestrin Ilir Kerni, sep
se ato ditë ai ndodhej me pushime në Tiranë. Entuziazmi po merrte krahë sërish edhe jashtë skenës. Befas ja morëm këngës: “Janinës ç’i panë sytë”. Aty u takuam edhe me doktor Isak Dautin, neuropatolog në spitalin e Zagrebit, mik i ambasadorit tonë, ai ka statusin e luftëtarit për mëvetësinë e Kroacisë. Pas kësaj ia nisim këngës skraparjote “Mbeçë more shokë mbeçë”. Dy kroatë, Nino dhe Milena, bashkëshortë, na ftojnë në lokalin e tyre. Kënga toskërishte ndizet sërish.

Ftesa e radhës

Ftesa e radhës na erdhi nga Mehmedali Zenuni, Kryetari i Shoqatës së Komunitetit Shqiptarë në Kroaci. Ai jeton në Valeria Gorica me rreth 70 mijë banorë dhe ne shkuam edhe atje. Mehmedaliu po na priste së bashku me dy e tij, Ademin dhe Irfanin dhe vëllezërit. Njëri prej vëllezërve të tij, Abdylbari solli edhe flamurin shqiptar të punuar prej tij mbi basoreliev, sepse ai është edhe piktor. Kënduam dhe thurëm bejte. Një kopje të flamurit ai ia dhuroi ambasadorit tonë dhe një tjetër profesor Mingës. Aty erdhi dhe Ivo Doding, një nga profesorët më në zë të mjekësisë nukleare në Evropë. Së shpejti ai do të mbajë edhe një leksion në Shqipëri. Nisëm të këndonim gjithë këngët e vendit tonë. Hakiu dhe Gëzimi ia morën këngës mokrare, Lalasi këndoi serenata, Ademi atë të Hajredin Pashës, unë dhe Avniu e mbyllëm me këngën “Qan Rehova, qan Nivica”. Të nesërmen u takuam edhe me Antoneta Dedën, bashkëshorten e mikut tonë
Ferdinand Deda, e cila po shoqëronte studentët në një festival në Paris, u takuam edhe me Dorotean, bashkëshorten e Ilir Kernit, por edhe me Sefedin Prekazin, redaktorin teknik të revistës “Informatori”, organ i komunitetit shqiptar në Kroaci. Takimet me miq dhe shqiptarë ishin të shumta.

Grupi ynë në TV- “Hrvatska”

Ndërsa festivali i isopolifonisë vazhdonte, profesor Mingës i erdhi një ftesë nga “Hrvatska television”. Ftesa erdhi nga gazetari, muzikologu më i njohur i televizionit publik, Aleksej Pavllovski. Profesor Minga dha një intervistë të ilustruar me këngët tona. Natën e fundit të festivalit kënduam dy këngë dhe një valle të kënduar, “Ç’deshe trëndafil që erdhe këtej”. Kështu kaluan 5 ditët e festivalit, mes njerëzve dhe miqve të shumtë. Ata na adhuronin për vlerat e këngës tonë. Grupi ynë përbëhej vetëm nga 6 këngëtarë, por me ne ishte edhe Fatmir Danglli, edhe Nevruz dhe Ali Kondi, edhe Hafize Leskoviku, gjithë këngëtarët e këngës popullore, ata që për shekuj me radhë i kishin dhënë vlerat e vërteta këngës shqiptare. Dhe ndërsa e ndjenim veten të mikpritur dhe të nderuar, i thoshim faleminderit këngës tonë…
1367

KOMENTE