950 vjetori i Dioqezës së Lashtë shqiptare të Sapës, shënon jubileun e kontributit thelbësor në mbrojtjen e dinjitetit dhe kulturës sonë kombëtare
Në shenjë nderimit të 950 vjetorit të Dioqezës së Sapës, të vendosim të ndërtojmë së bashku me qeverinë, bashkinë, famullinë, Kishën e Shën Mërisë, ta ndërtojmë atë po aq të bukur sa ç’ishte, në mënyrë që t'ua lemë brezave që vijnë në shekuj e mijëvjeçarë si një nga trashëgimitë më të shkëlqyera.
Kryeministri Berisha mori pjesë dje në Meshën Solemne të Jubileut të 950 vjetorit të themelimit të Dioqezës së Lashtë shqiptare të Sapës, (1062-2012), e cila u mbajt në Katedralen “E Lumja Nënë Tereza” në Vaun e Dejës, në Shkodër.
Në Meshën, pjesë e kremtimeve treditore për nder të këtij Jubileu, ishin të pranishëm personalitete të larta politike të vendit si Kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli, ministra e deputetë, përfaqësues të Lartë të Kishës katolike, Delegati Papnor, Kardinali Santos Abril y Castelló, Nunci Apostolik i Shqipërisë, Imzot Ramiro Moliner Igles, Ipeshkvi i Sapes Imzot Avgustimi, përfaqësues të tjerë të Kishës Katolike, drejtues e përfaqësues të pushtetit vendor, si dhe shumë besimtarë katolikë të Shkodrës dhe zonave përreth.
Në përshëndetjen drejtuar të pranishmëve me këtë rast, kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për mesazhin frymëzues të Shenjtërisë së Tij Papa Benedikti i XVI, të përcjellë nga i dërguari personal i tij në këtë ngjarje jubilare, Kardinali Santos Abril y Castelló.
Kryeministri tha se gjatë këtyre 100 viteve, shqiptarët kanë patur në Selinë e Shenjtë, aleatin më të çmuar dhe më besnik, si dhe mbështetësin e tyre në kohërat më të vështira.
Duke e vlerësuar 950 vjetorin e Dioqezës së Sapës, si një periudhë e rëndësishme përpjekjesh për dritë dhe frymëzim me vlera të shenjta njerëzore dhe hyjnore, Kryeministri theksoi se këto 950 vjet janë kontribut thelbësor në mbrojtjen e dinjitetit dhe kulturës së kombit shqiptar.
Kryeministri solli në kujtesë figura të shquara të udhëheqësve shpirtërorë katolikë, por edhe të besimeve të tjera, të cilët me guxim, kurajë dhe shumë atdhedashuri lanë gjurmë të pashlyera në 100 vitet e Shqipërisë shtet.