Nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, është kryer ekstradimi nga Roma, Itali, drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Lavdrim Besnik Luca, vjeç 41, lindur në Llugjej, Dibër.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 616, datë 21.06.2007, ka caktuar ndaj këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg“, për kryerjen e veprave penale të “Vrasjes me paramendim“, si edhe të “Armëmbajtjes pa leje“, parashikuar nga nenet 78 dhe 278/2 të Kodit Penal.
Shtetasi Lavdrim Luca akuzohet se më datë 03.08.1997, në Bathore, Kodër Kamëz, ka vrarë dy shtetas.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën, në datën 12.10.2007, në Itali u bë i mundur arrestimi i këtij shtetasi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.
Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, shtetasi i mësipërm i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.