Gjatë vizitës në ditën e dytë në Bruksel, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, mori pjesë në Kongresin Zgjedhor të Partisë se Socialistëve Europiane. Gjatë darkës së liderëve europiane, organizuar nga Presidenti i Parlamentit Europian Martin Schultz, zoti Rama zhvilloi takime dhe bashkëbisedoi me një sërë drejtuesish të së majtës europiane, si Kryeministri Belg Elio di Rupo, Kryeministri Rumun Victor Ponda, Kryeministri Austriak Fayman, Presidenti i Internacionales Socialiste Papandreu dhe liderë të tjerë të partive të majta në Francë, Gjermani, Greqi, Hollandë dhe Danimarkë.
Gjatë ditës së dytë të Kongresit, delegatët zgjodhën Presidentin e ri të Partisë së Socialistëve Europiane, zotin Sergei Stanishev, i cili i pyetur për të ardhmen europiane të Shqipërisë, u shpreh: Vendi që sot i bashkohet Bashkimit Europian duhet të përmbushë një numër kriteresh politike dhe për mua standardi demokratik është një prej kritereve më të rëndësishme politike për tu bërë anëtar në Bashkimin Europian. Ju do shihni një deklaratë e cila do adoptohet sot në mbrëmje pas debateve. Ne kemi një paragraf të veçantë mbi standardet demokratike, sepse ne do kërkojmë që këto standarde të implementohen. Ne do vendosim një mekanizëm kontrolli mbi këto standarde jo vetëm për ata që duan të anëtarësohen në Bashkimin Europian, por edhe ata që janë pjesë e Bashkimit Europian. Ne do të krijojmë një mekanizëm kontrolli për standardin e demokracisë. Në zgjedhjet e ardhshme standartet demokratike duhet të zgjerohen dhe PSE do të jetë atje për të monitoruar këtë proces.
Po në këtë Kongres, Kryesocialisti Rama u zgjodh anëtar i Presidiumit të Partisë së Socialistëve Europianë, hera e parë që një drejtues i majtë shqiptar zgjidhet në një forum kaq të lartë drejtues të socialistëve europiane. Në përfundim të Kongresit, zoti Rama tha: Është padyshim një nder për mua dhe sigurisht edhe një peshë më e rëndësishme e Partisë Socialiste të Shqipërisë në këtë forum kaq të rëndësishëm të familjes së përbashkët socialiste europiane edhe në funksion të perspektivës europiane të Shqipërisë.
Ndërkohë i pyetur se çfarë ndikimi do të ketë alternimi i politikave të Partisë Socialiste Shqiptare me atë Europiane, Rama u shpreh: “Ky vit me disa fitore dhe posaçërisht me fitoren në Francë konfirmoi se era tanimë ka filluar të fryjë majtas. Fitoret e pritshme pas pak kohe në Lituani dhe në Rumani do të jenë në vazhdën e këtij konfirmimi dhe unë vetë nuk kam dyshim që fitorja jonë në 2013 do të bëhet pjesë e këtij karvani fitoresh të së majtës europiane në rang vendesh të ndryshme.
Sigurisht duke përsëritur që edhe kjo përfshirje në presidencën e partisë socialiste europiane do të jetë një ndihmesë shumë e rëndësishme në funksion të mbajtjes ngritur të vëmendjes së familjes europiane ndaj zgjedhjeve në Shqipëri, sepse në fund të fundit ne i fituam zgjedhjet dhe më parë por nuk u zgjodhëm, ndërkohë që 2013 do të jetë viti i konfirmimit tonë si një forcë e zgjedhur, ku fitorja pa asnjë dyshim do të na takojë dhe ne do ta bëjmë atë të paprekshme.
Gjithashtu kryetari Rama tha se Partia Socialiste Europiane dhe presidenti i rii PSE, do të jetë një forcë mbështetëse e gjithë anëtarëve të kësaj familjeje politike evropiane. “ Një nga shprehjet më të qarta të vullnetit të këtij kongresi, është vullneti për të mbështetur njëri tjetrin dhe padyshim Partia Socialiste Europiane me presidentin e ri do të jetë një forcë mbështetëse për të gjitha partitë anëtare të kësaj familjeje dhe nga ana tjetër unë dua të shpreh bindjen time që në zgjedhjet e ardhshme me programin tonë ‘Për një Rilindje Shqiptare’, që i atashohet shumë bukur edhe programit të përbashkët për një Rilindje Europiane, do të jemi një forcë e rëndësishme fituese për Shqipërinë dhe për rajonin”- u shpreh Rama.