English

Berisha-Sequi inagurojnë shkollën e mesme “Salih Çeka” në Elbasan (VIDEO)

Në vijim të turit të inaugurimeve të shkollave të reja në mbarë vendin, Kryeministri Berisha mori pjesë në përurimin e shkollës së mesme profesionale “Salih Çeka” në qytetin e Elbasanit. Shkolla, e cila sjell një risi në sistemin arsimor profesional të vendit, përbën një investim prej 1 milion e 200 mije euro, financuar me fonde të BE. Me një kapacitet prej 1000 nxënësish shkolla ofron mundësinë e arsimimit nëpërmjet programeve bashkëkohore, në një sërë degësh si atë të hoteleri-turizëm, informatikë, ndërtim, hidraulikë, konfeksione, mobileri, etj.
Kryeministri Berisha i shoqëruar në këtë vizitë, nga ambasadori i delegacionit të BE, zoti Ettore Sequi, nënkryetari i parlamentit, zoti Ardian Turku, Ministri i Arsimit zoti Myqerem Tafai, kryetari i Bashkisë së Elbasanit zoti Qazim Sejdiu, etj, u takua me stafin pedagogjik të shkollës, si dhe me nxënës e prindër të mbledhur me këtë rast. Ai vizitoi kabinetet dhe klasat e ndryshme dhe pa nga afër projekte të realizuara nga vetë nxënësit në bashkëpunim me mësuesit, në degë të caktuara.

Kryeministri u ndal dhe bisedoi me nxënës të degës hoteleri-turizëm, të cilët ofruan gatime të ndryshme të zonës, të bëra nga vetë ata, si pjesë e programit mësimor. Duke i përgëzuar për punën e bërë, kryeministri tha se është e rëndësishme që tradita e gatimeve tradicionale elbasanase tu përcillet brezave që vijnë si një vlerë që duhet ruajtur dhe trashëguar.

Më pas, Kryeministri Berisha iu drejtua me një përshëndetje të gjithë të pranishmëve, ku falënderoi dhe shprehu mirënjohjen ndaj Komisionit Evropian delegacionit të BE dhe ambasadorit Sequi, si dhe të gjithë taksapaguesve të BE për dhuratën që i bënë jo vetëm qytetit të Elbasanit, por të gjithë sistemit arsimor në vene.

Duke e cilësuar, si një prej shkollave më moderne të vendit, kryeministri tha se kjo shkollë profesionale përbën një hap të madh në përshtatje me kërkesat e tregut në qarkun e Elbasanit dhe në mbarë Shqipërinë. Kryeministri vuri në dukje se ky vit shënon një rritje prej 23 % të përfshirjes së nxënësve në arsimin profesional duke theksuar se shkollimi i fëmijëve në shkollat profesionale është një mundësi shumë më e madhe dhe një përgatitje shumë më e mirë për të ardhmen e tyre.
1373

KOMENTE