Mesditën,e sotme ka reaguar Ministria e Mbrojtjes e cila përmes zëdhënëses së saj znj. Lorisa Ylli dha një deklaratë për shtyp, në të cilën thuhet:
Partia Socialiste vijoi me serialin e shpifjeve duke dezinformuar opinionin publik për kontrata të tregtisë së armëve, kontrata të mbështetura plotësisht në ligj dhe në interesin më të mirë të vendit. Deputeti Braçe shkeli tre ligje të shtetit shqiptar: Ligjin Nr. 9887, datë 10.03.2008, “Për Mbrojtjen e të dhënave personale”, pikën 1 të nenit 3; Ligjin Nr. 9707, datë 05.04.2007, Për kontrollin shtetror të veprimtarisë së import eksportit të mallrave ushtarakë si dhe mallrave e teknologjive me përdorim të dyfishtë”, nenin 8 të tij; Ligjin Nr. 84 85, datë 12.05.1999”, Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, nenin 19 të tij.
Për këtë sigurisht do të përgjigjet para ligjit!
Deputeti Braçe nuk mund të justifikohet se nuk ka qenë në dijeni të shkeljes së plotë të këtyre ligjeve. Në përgjigje të shkresës së tij, nr 1447, datë 28.05.2012, Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, me shkresë Nr.4146, datë 4.6.2012, e ka bërë me dije se dokumentacioni i kërkuar nga zoti Braçe nuk mund të përcillet me shkresë zyrtare, pasi do të ishte dhunim i ligjeve të mësipërm. Me po këtë shkresë, jeni ftuar që në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, me dyer të mbyllura, tu vihej në dispozicion i gjithë dokumentacioni i kërkuar.
Ju, zoti Braçe e keni refuzuar, sepse interesi juaj dhe partisë tuaj, nuk është e vërteta, por shpifjet, trillimet e mashtrimet. Në vend që të vinit dhe të shqyrtonit të gjithë dokumentacionin në mënyrë integrale, ju vidhni letra poshtë e lartë duke dezinformuar opinionin publik, e duke u bërë qesharak, sepse nuk keni idenë minimale se çfarë letrash lexoni. Ju bini nga një gafë në tjetrën, sepse nuk denjoni të zotëroni dokumentet shtetërore në rrugë ligjore.
Ministria e Mbrojtjes, në respekt të opinionit publik sqaron se aktiviteti i ligjshëm tregtar i shitjes së armëve dhe municioneve është i bazuar tërësisht në ligjin e brendshëm dhe në ligjin ndërkombëtar. Ky aktivitet është i vendosur mbi baza të qarta ligjore dhe është po aq normal sa edhe çdo aktivitet tjetër me natyrë kontraktuale që ushtron shteti shqiptar.
Deklaratat e Partisë Socialiste për blerje të armëve nga Serbia janë shpifje të neveritshme. Ashtu siç dëshmohet nga dokumentet që tunden nga zoti Braçe, destinacioni i këtij malli është Gjeorgjia. Një vend mik, aspirant për anëtarësim në NATO, me kontribute edhe jashtë mundësive të saj në frontet e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Gjeorgjia, është pjesë e interesave strategjike të Republikës së Shqipërisë. Nëse Partia Socialiste është kundër marrëdhënieve të Shqipërisë me Gjeorgjinë, ka vetëm një arsye. Ata e dinë shumë mirë cila është ajo. Fatkeqësisht, kjo kontratë nuk u realizua, e theksojmë, nuk është realizuar, pasi Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë është treguar skrupuloze në verifikimin e plotë të të gjithë këtij aktiviteti. Kjo është raportuar nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve tek institucionet përkatëse brenda vendit dhe në OKB.
Në vijim të serialit të shpifjeve, Partia Socialiste vijoi sot me ngritjen e teorive konspirative, për fakte që janë publik. Po, Ministria e Mbrojtjes i ka shitur armë Jemenit, në përputhje të plotë me ligjin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Ky fakt është raportuar në OKB dhe është i publikuar në raportin e AKSHE, të cilin mund ta gjeni lehtësisht në internet. Në kohën e lidhjes së kontratës, nuk ka pasur as edhe një shenjë të ndonjë lufte civile në Jemen, përveç faktit të luftës së autoriteteve ndaj terrorizmit dhe Al Kaedas.
Përsa u përket kompanive ndërmjetëse, ato përzgjidhen nga përdoruesi i fundit, i cili është shteti porositës, pra blerësi, jo nga shitësi, Ministria e Mbrojtjes në këtë rast. Gjithsesi ato janë verifikuar nga agjencitë e inteligjencës dhe rezulton se nuk janë pjesë e asnjë liste të zezë, as e OKB-së, as e Departamentit Amerikan të Shtetit, as BE-së dhe as e OSBE-së.
Shitja në Jemen është e panjollë. Njolla është juaja. Sepse, sulmi ndaj kompanive ka vetëm një qëllim të ulët, dëmtimin e tregtisë së ligjshme të armëve që kryen Republika e Shqipërisë.
Ministria e Mbrojtjes garanton të gjithë opinionin publik se pavarësisht shpifjeve, trillimeve e akuzave ordinere të Partisë Socialiste, ne jemi të vendosur ta vijojmë këtë proces, sepse është në interesin më të mirë të vendit. Kjo nuk është zgjedhja jona, kjo është detyra jonë.