Kryeministri Berisha në vazhdën e inagurimit të shkollave ai përsëri sot ka theksuar, se integrimi europian i Shqipërisë është ëndrra e çdo të riu dhe projekti i së ardhmes së shqiptarëve, realizimi i të cilit kërkon angazhimin dhe përgjegjësinë e plotë të qeverisë, opozitës dhe shoqërisë shqiptare në tërësi.
Duke përshëndetur inaugurimin e gjimnazit të ri “Hydajet Lezha”, në Lezhë, investim prej 170 milionë lekësh, Kryeministri Berisha tha se Shqipëria në Europë mund të integrohet si vendi i qytetarëve, jeta e të cilëve ndryshon çdo ditë, ndaj dhe qeveria është plotësisht e angazhuar në ndërtimin e infrastrukturës arsimore moderne, një sistemi rrugor modern, sistemi të furnizimit me ujë dhe energji të standardeve europiane, në punësimin e shqiptarëve dhe rritjen ekonomike të vendit.
Në rrugën tonë të integrimit, tha Kryeministri, me gjithë sukseset e mëdha, ne kemi probleme, të cilat duhen zgjidhur. Duke përcaktuar si çështje të një rëndësie madhore për integrimin, që duhet të zgjidhet, votimin e ligjeve me 3/5 në parlament, Kryeministri Berisha i bëri thirrje kryetarit të Partisë Socialiste që këto ligje të mos kthehen “në pazar”, por t’i votojnë ato, në përmbushje të detyrimeve për marrjen e statusit të vendit kandidat, si projekti më i madh i shqiptarëve.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u ndal edhe në disa nga arritjet e mëdha në fushën e arsimit si ndërtimi e rindërtimi i mbi 1300 shkollave në mbarë vendin, modernizimi i infrastrukturës arsimore, mbidyfishimi i pagës së arsimtarit, rritja e numrit të studentëve, ndërsa theksoi se në këtë përpjekje të madhe, qeveria ia doli të mbajë zotimet dhe inaugurimi i kësaj shkolle, me laboratorë të ndryshëm, kabinet informatike, bibliotekë, palestër dhe kënde të tjerë sportive, është një tjetër dëshmi e zotimit të saj se arsimi është “përparësia e të gjitha përparësive”. Kryeministri shprehu vendosmërisë për të vazhduar investimet në fushën e arsimit, me bindjen se arsimi është “dera nga ku kalon zhvillimi”.