Më datë 1 tetor, ora 12.00, Ministria e Punëve të Jashtme në bashkëpunim me Ambasadën Gjermane në Tiranë zhvilloi një veprimtari me rastin e 25-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve në mjediset e kësaj Ministrie.
Në këtë veprimtari mori pjesë dhe e përshëndeti edhe Kryeministri, z. Sali Berisha. Në fjalën e vet, z. Berisha ngriti lart marrëdhëniet historike mes Shqipërisë e Gjermanisë dhe vlerësoi si jashtëzakonisht të rëndësishëm rolin e luajtur nga RFGJ-ja për zhvillimin e demokracisë dhe të shtetit ligjor në vendin tonë. Gjithashtu, z. Berisha çmoi kontributin e dhënë nga Gjermania për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit dhe, veçanërisht, në Kosovë, pas ndërhyrjes së NATO-s. Gjermania, tha z. Berisha, ka mbështetur fuqimisht anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe aktualisht në BE.
Gjatë kësaj veprimtarie e mori fjalën dhe përshëndeti Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Panariti, i cili në fjalën e vet theksoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit midis dy vendeve, nivel që u konfirmua edhe pas takimit të fundit me Ministrin e Jashtëm gjerman, z. Guido Westerwelle. Z. Panariti vlerësoi faktin se sot Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe pranë marrjes së statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian, dhe për këtë ka pasur vazhdimisht mbështetjen dhe asistencën e një vendi mik, si Gjermania.
Në fjalën e saj ambasadorja e RFGJ, znj. Carola Mueller-Holtkemper, u shpreh se marrëdhëniet mes dy vendeve tona kanë njohur vetëm rritje e zhvillim në këta 25 vjet, si dhe Gjermania ka qenë dhe do të jetë përkrah Shqipërisë në rrugën e saj drejt familjes evropiane.