Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Suedi, ku po qëndron me ftesë të kryeministrit të Suedisë, u prit sot nga kryeministri i Suedisë, Frederik Reinfeldt.
Kryeministri Thaçi gjatë takimit me kryeministrin suedez, Reinfeldt e falënderoi atë për përkrahjen e Qeverisë së Suedisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shteti i Suedisë, njohje kjo ndër të parat, për mbështetjen e madhe në shtetndërtimin e Kosovës, si dhe për procesin e integrimit të Kosovës në BE.
“Prioriteti kryesor i Qeverisë së Republikës së Kosovës është përshpejtimi i agjendës evropiane të integrimit. Në kuadër të këtij procesi, një nga sfidat është mosnjohja e shtetit të Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së” – theksoi kryeministri Thaçi dhe shtoi se “përkrahja e Suedisë për ndryshimin e qëndrimit të këtyre shteteve ndaj realitetit të shtetit të Kosovës dhe integrimit të Kosovës në BE është jetike”- theksoi kryeministri.
“Republika e Kosovës ka bërë hapa të rëndësishëm dhe substancialë në avancimin e të drejtave të komuniteteve pakicë dhe në përfaqësimin dhe integrimin e suksesshëm të komuniteteve në të gjitha nivelet e qeverisjes” – shtoi kryeministri Thaçi.
“Një nga përkushtimet e institucioneve demokratike të Kosovës është forcimi i bashkëpunimit rajonal, si një nga kushtet kryesore për integrimin në Bashkimin Evropian. Në kuadër të këtij procesi, Kosova ka ndërtuar raporte të shkëlqyeshme me të gjitha vendet fqinje, përveç me Serbinë” – tha z.Thaçi.
“Kosova është e përkushtuar që t’i normalizojë marrëdhëniet me Serbinë përmes dialogut si dy shtete të pavarura dhe sovrane” - shtoi kryeministri Thaçi në takim.
Në takimin mes dy kryeministrave u bisedua edhe për bashkëpunimin biletaral, dhe intensifikimin e këtij bashkëpunimi në sferën ekonomike:
“Kosova ka potencial të lartë për investime direkte të jashtme, duke pasur parasysh kornizën ligjore dhe taksat e ulëta, është pjesë e tregut të gjerë CEFTA, resurset natyrore, me theks të veçantë në sektorin e minierave, energjisë, turizmit, energjisë së ripërtërishme. Prandaj, ftoj bizneset dhe investitorët potencial suedezë që të vijnë dhe investojnë në Republikën e Kosovës” – pohoi kryeministri Hashim Thaçi.
Kryeministri i Suedisë, Frederik Reinfeldt, theksoi se Suedia qëndron e përkushtuar në përkrahjen e rrugës së integrimit evropian të Kosovës dhe fqinjësisë së mirë.
Z.Reinfeldt theksoi se Kosova është shtet i pavarur, sovran, dhe ndarja nuk është opsion.