English

Panariti takon në Strasburg, zotin Jean Claude Mignon

Në kuadër të vizitës së tij në Strasburg për të marrë pjesë në punimet e Sesionit të Katërt të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Kryetari i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, z. Edmond Panariti, zhvilloi një takim me Presidentin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, z. Jean Claude Mignon. Presidenti i Asamblesë Parlamentare Mignon e përgëzoi Ministrin Panariti për presidencën e suksesshme të Shqipërisë për këtë periudhë 6 mujore dhe përmbushjen e angazhimeve të saj në krye të Komitetit të Ministrave.

Ai shprehu kënaqësinë për progresin e jashtëzakonshëm që ka përjetuar Shqipëria, duke nënvizuar se askush nuk mund ta mendonte në 1990 që ky vend do të ishte sot në krye të një organizate kaq të rëndësishme. Zoti Mignon falenderoi, gjithashtu, Ministrin Panariti për iniciativën për të zhvilluar një vizitë në vendet e Afrikës së Veriut, e cila do te jepte një mesazh domethës lidhur me kontributin që Këshilli i Evropës jep për konsolidimin e demokracive të këtyre vendeve. Ministri i Jashtëm, z. Edmond Panariti, shprehu kënaqësinë që ndodhet në Strasburg në cilësinë e Kryetarit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës. Ai gjithashtu evidentoi angazhimin e Shqipërisë për përmbushjen e objektivat të agjendës së Presidencës së saj në krye të kësaj Organizate. Marrja e Presidencës nga Shqipëria ishte një sfidë, u shpreh Ministri Panariti, ashtu si dhe moto e zgjedhur prej saj “ Të bashkuar në Diversitet”, e cila përbën një vlerë të shtuar të kontributit të Shqipërisë në drejtim të promovimit të bashkëjetesës dhe diversitetit të shoqërive ku jetojmë. Në përfundim të takimit, Ministri Panariti, pasi e informoi z. Mignon për përgatitjet e autoriteteve shqiptare me rastin e 100 Vjetorit të Pavarësisë, e ftoi për një vizitë në Shqipëri me këtë rast.

KOMENTE