English

Tregëtia e armëve është aktivitet i ligjshëm dhe i dobishëm që sjell të ardhura

Një deklaratë tjetër vjen sot përsëri nga Ministria e Mbrojtjes përmes zëdhënëses së saj znj. Lorisa Ylli. Në deklaratën e sotme vazhdon sqarimi në të cilën thuhet:
"Ministria e Mbrojtjes në vijim të transparencës me opinion publik sqaron se: tregtia e armëve është një aktivitet i ligjshëm dhe i dobishëm që sjell të ardhura për të mbështetur procesin e demontimit dhe asgjësimit të municioneve të tepërta e të rrezikshme. Përkundër propagandës të Partisë Socialiste, sqarojmë se aktualisht të gjitha municionet janë jashtë përdorimit të Forcave të Armatosura dhe të destinuara për t’u shkatërruar. Nga këto municione kategorizohen ato për shitje.
Pra, nëse këto municione nuk do të shiteshin, ato do të ishim të detyruar t’i shkatërrojmë me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Ne po bëjmë përpjekjet maksimale që sasi të vogla të municionit të kategorizuar për shkatërrim t’i shesim, dhe me paratë e grumbulluara të mbështesim procesin e demontimit të pjesës tjetër të municioneve, proces i vlerësuar nga partnerët tanë ndërkombëtarë, si një model botëror.
Deputeti Braçe, i cili tund letra të vjedhura të shtetit shqiptar, duke mashtruar opinionin publik çdo ditë, është në dijeni se një sasi e madhe e parave të grumbulluara nga tregtia e ligjshme e armëve, shkon për të mbështetur punën në Kombinatin Mekanik të Poliçanit. Nga të ardhurat e siguruara nga tregtia e ligjshme e armëve, 1.2 miliardë lekë janë destinuar për të paguar punonjësit e Kombinatit të Poliçanit!
Si deputet i qarkut të Beratit, deputeti Braçe do të duhej të mbështeste këtë proces që siguron punësim për 300 familje të qytetit të Poliçanit.
Ne i kërkojmë deputetit Braçe, të dalë dhe të sqarojë se përse është kundër punësimit të 300 familjarëve nga Poliçani?
Përse ai punon kundër bukës së gojës së fëmijëve të Poliçanit?
Cili është interesi që fshihet pas kësaj fushate të turpshme të Partisë Socialiste?
Sot e në vijim, Ministria e Mbrojtjes, do t’i drejtojë çdo ditë Partisë Socialiste, pyetjen themelore që lind nga kjo fushatë kriminale kundër Ministrisë së Mbrojtjes:
Çfarë i shtyn të punojnë kundër interesave madhore të vendit?
Qytetarët shqiptarë presin nga Partia Socialiste përgjigjen e kësaj pyetjeje!"

KOMENTE