V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RAPORTIT PËRFUNDIMTAR TË VLERËSIMIT TË OFERTAVE DHE SHPALLJEN E FITUESIT TË TENDERIT PËR PRIVATIZIMIN E SHOQËRISË “ALBPETROL”, SH.A., PATOS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 8, të ligjit nr.10 490, datë 15.12.2011, “Për përcaktimin e formës dhe të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë “Albpetrol”, sh.a., Patos”, me propozimin zëvendëskryeministrit dhe ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e raportit përfundimtar të vlerësimit të ofertave për privatizimin e shoqërisë “Albpetrol”, sh.a., Patos, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi, të përgatitur nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, në zbatim të vendimit nr.107, datë 1.2.2012, të Këshillit të Ministrave, dhe klasifikimin e kandidatëve, si më poshtë vijon:
- Vetro Energy PTE. Ltd 97.79 pikë;
- Win Business 44.39 pikë;
- Bankers Petroleum Ltd. 30.83 pikë.
2. Shpalljen e kandidatit “Vetro Energy PTE. Ltd” fitues të procedurës së tenderit.
3. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, që, në bazë të klasifikimit të përcaktuar në pikat 1 e 2, të këtij vendimi, të fillojë negociimet dhe nënshkrimin e marrëveshjes me kandidatin fitues “Vetro Energy PTE. Ltd”, sipas kapitullit VIII, pikat 2 e 3, të vendimit nr.107, datë 1.2.2012, të Këshillit të Ministrave.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.153, DATË 29.2.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PROCEDURAT DHE KRITERET E PËRZGJEDHJES SË INVESTITORËVE STRATEGJIKË PËR SHITJEN E 100% TË AKSIONEVE TË SHOQËRISË AKSIONARE “HEC, ULËZ - SHKOPET””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 7, të ligjit nr.8306, datë 14.3.1998, “Për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, 5 e 8, të ligjit nr.10 430, datë 9.6.2011, “Për krijimin e shoqërive “HEC, Ulëz-Shkopet”, sh.a., “HEC, Tiranë, Lanabregas”, sh.a., dhe “HEC, Bistrica 1 dhe Bistrica 2”, sh.a., dhe përcaktimin e formës e të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërive “HEC, Ulëz - Shkopet”, sh.a., dhe “HEC, Bistrica 1 dhe Bistrica 2”, sh.a.”, me propozimin e zëvendëskryeministrit dhe ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shtojca 1 bashkëlidhur dhe që përmendet në pikën 1, të vendimit nr.153, datë 29.2.2012, të Këshillit të Ministrave, zëvendësohet me shtojcën me të njëjtin numër që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.152, DATË 29.2.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PROCEDURAT DHE KRITERET E PËRZGJEDHJES SË INVESTITORËVE STRATEGJIKË PËR SHITJEN E 100% TË AKSIONEVE TË SHOQËRISË AKSIONARE “HEC, BISTRICA 1 DHE BISTRICA 2””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 7, të ligjit nr.8306, datë 14.3.1998, “Për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, 5 e 8, të ligjit nr.10 430, datë 9.6.2011, “Për krijimin e shoqërive “HEC, Ulëz - Shkopet”, sh.a., “HEC, Tiranë, Lanabregas”, sh.a., dhe “HEC, Bistrica 1 dhe Bistrica 2”, sh.a., dhe përcaktimin e formës e të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërive “HEC, Ulëz - Shkopet”, sh.a., dhe “HEC, Bistrica 1 dhe Bistrica 2”, sh.a.”, me propozimin e zëvendëskryeministrit dhe ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
3. Shtojca 1 bashkëlidhur dhe që përmendet në pikën 1, të vendimit nr.152, datë 29.2.2012, të Këshillit të Ministrave, zëvendësohet me shtojcën me të njëjtin numër që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.329, DATË 12.7.1999, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PROCEDURAT E TENDERIT PËR ZGJEDHJEN E INVESTITORËVE STRATEGJIKË DHE PËR TRANSFERIMIN E AKSIONEVE TË ZOTËRUARA NGA SHTETI NË SHOQËRITË TREGTARE TË SEKTORËVE ME RËNDËSI TË VEÇANTË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 7, të ligjit nr.8306, datë 14.3.1998, “Për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë”, të ndryshuar, me propozimin e zëvendëskryeministrit dhe ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.329, datë 12.7.1999, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në të gjithë tekstin e vendimit, emërtimi “Ministri i Ekonomisë Publike dhe Privatizimit” zëvendësohet me emërtimin “Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës”.
2. Pas pikës 7, të kreut III, shtohet pika 7/1, me këtë përmbajtje:
“7/1. Në rastin e tenderit të hapur me një fazë, Këshilli i Ministrave, në vendimin sipas pikës 1, të kreut I, të këtij vendimi, mund të përcaktojë që përmbushja nga kandidatët e kritereve në përputhje me pikën 3, të këtij kreu, të vlerësohet nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, së bashku me ofertat e paraqitura prej tyre, pa qenë e nevojshme shprehja paraprake e interesit nga ana e kandidatëve dhe ftesa e tyre në tender nga ana e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.”.
3. Shkronja “a”, e kreut IV, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) një garanci bankare për sigurimin e ofertës, në vlerën e përcaktuar sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, të përcaktuar në pikën 1, të kreut I, të këtij vendimi, në favor të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.”.
4. Ngarkohet Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
LEJIMIN E SHOQËRISË “KESH”, SH.A., TIRANË, TË IMPORTOJË ENERGJI ELEKTRIKE PËR FURNIZIMIN E KONSUMATORËVE TARIFORË, SI DHE MBULIMIN E HUMBJEVE NË SISTEMIN E SHPËRNDARJES
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9072, datë 22.5.2003, “Për sektorin e energjisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e zëvendëskryeministrit dhe ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Lejimin e shoqërisë “KESH”, sh.a., Tiranë, të importojë energji elektrike për periudhën deri më 31.12.2012, për garantimin e furnizimit të pandërprerë të konsumatorëve me energji elektrike në vend, si dhe mbulimin e humbjeve në sistemin e shpërndarjes.
2. Kostot financiare të importit të energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në sistemin e shpërndarjes sipas pikës 1, të këtij vendimi, t’i faturohen shoqërisë “CEZ Shpërndarje”, sh.a., Tiranë.
3. Procedurat e importimit të energjisë elektrike nga ana e shoqërisë “KESH”, sh.a., Tiranë, të bëhen në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi.
4. Ngarkohet Ministria e Financave për sigurimin e burimeve financiare për kryerjen e importit të energjisë elektrike nga shoqëria “KESH”, sh.a., Tiranë, sipas pikës 1, të këtij vendimi, si dhe për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura për importin e energjisë elektrike të realizuar nga KESH, sh.a.-ja, në periudhat e mëparshme.
5. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ministria e Financave dhe shoqëria “KESH”, sh.a., Tiranë, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KONTRATËS SË KONCESIONIT, TË FORMËS “BOT”, TË LIDHUR NDËRMJET MINISTRISË SË EKONOMISË, TREGTISË DHE ENERGJETIKËS DHE BASHKIMIT TË PËRKOHSHËM TË SHOQËRIVE “RIVIERA”, SH.P.K., “EHW”, SH.P.K., “ENERGJI PROJECT”, SH.P.K. & “ATLANTIK”, SH.A., PËR NDËRTIMIN E HIDROCENTRALEVE NË RRJEDHËN E LUMIT TË MATIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 21, pika 4, e 27, të ligjit nr.9663, datë 18.12.2006, “Për koncesionet”, me propozimin e zëvendëskryeministrit dhe ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e kontratës së koncesionit, të formës “BOT” (Ndërtim, Operim dhe Transferim), të lidhur ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, si autoriteti kontraktues, dhe bashkimit të përkohshëm të shoqërive “Riviera”, sh.p.k., “EHW”, sh.p.k., “Energji Project”, sh.p.k., & “Atlantik”, sh.a., për ndërtimin e hidrocentraleve në rrjedhën e lumit të Matit, sipas tekstit dhe anekseve që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
LEJIMIN E EKSPOZIMIT NË ROMË, ITALI, TË DISA OBJEKTEVE TË RRALLA ME VLERA UNIKE, NË KUADËR TË REALIZIMIT TË EKSPOZITËS “THESARE TË KULTURËS SHQIPTARE”, NGA DATA 20 NËNTOR 2012 DERI MË 6 JANAR 2013
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 19, të ligjit nr.9048, datë 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Lejimin e ekspozimit në Romë, Itali, të disa objekteve të rralla me vlera unike, në kuadër të realizimit të ekspozitës “Thesare të kulturës shqiptare”, nga data 20 nëntor 2012 deri më 6 janar 2013, sipas lidhjes 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ekspozimi jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të bëhet në përputhje me udhëzimin nr.2, datë 18.3.2004, të Këshillit të Ministrave, “Për lëvizjen e objekteve të trashëgimisë kulturore të luajtshme, me vlera të veçanta kombëtare dhe unikale, për restaurimin, studimin dhe ekspozimin jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”.
3. Ngarkohen Instituti i Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri” të kryejë shoqërimin dhe kthimin e ikonave në vendin e origjinës, pas mbarimit të veprimtarisë, dhe Qendra e Inventarizimit të Pasurive Kulturore të kryejë regjistrimin e lëvizjes së objekteve.
Ky vendim hyn menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
LEJIMIN E EKSPOZIMIT NË MUZEUN E ARTIT MESJETAR “ANDREJ RUBLOV”, MOSKË, TË 18 IKONAVE, PJESË E FONDIT TË MUZEUT TË ARTIT MESJETAR, KORÇË, NË DATAT 10 TETOR – 12 DHJETOR 2012, NË KUADËR TË ZHVILLIMIT TË JAVËS SË KULTURËS SHQIPTARE NË MOSKË, PJESË E MARRËVESHJES SË BASHKËPUNIMIT SHQIPËRI - RUSI NË FUSHËN E KULTURËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 19, të ligjit nr.9048, datë 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
4. Lejimin e ekspozimit në Muzeun e Artit Mesjetar “Andrej Rublov”, Moskë, të 18 ikonave, pjesë e fondit të Muzeut të Artit Mesjetar, Korçë, në datat 10 tetor deri më 12 dhjetor 2012, në kuadër të zhvillimit të javës së kulturës shqiptare në Moskë, pjesë e marrëveshjes së bashkëpunimit Shqipëri - Rusi në fushën e kulturës, sipas lidhjes 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
5. Ekspozimi jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të bëhet në përputhje me udhëzimin nr.2, datë 18.3.2004, të Këshillit të Ministrave, “Për lëvizjen e objekteve të trashëgimisë kulturore të luajtshme, me vlera të veçanta kombëtare dhe unikale, për restaurimin, studimin dhe ekspozimin jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”.
6. Ngarkohen Muzeu i Artit Mesjetar Korçë, të kryejë shoqërimin dhe kthimin e ikonave në vendin e origjinës, pas mbarimit të veprimtarisë, dhe Qendra e Inventarizimit të Pasurive Kulturore të kryejë regjistrimin e lëvizjes së objekteve.
Ky vendim hyn menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2012, MIRATUAR PËR MINISTRINË E TURIZMIT, KULTURËS, RINISË DHE SPORTEVE, PËR ORGANIZIMIN E CEREMONIVE ZYRATRE PËR EKSPOZIMIN E “MESHARIT”, TË GJON BUZUKUT, NË MJEDISET E BIBLIOTEKËS KOMBËTARE, DHE PËR EKSPOZIMIN E ARMËVE TË SKËNDERBEUT, NË MJEDISET E MUZEUT HISTORIK KOMBËTAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 13, të ligjit nr.10 487, datë 5.12.2011, “Për buxhetin e vitit 2012”, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në buxhetin e miratuar për vitin 2012, në zërin “Projekte”, artikulli 604, t’i shtohet fondi prej 1 003 456 (një milion e tre mijë e katërqind e pesëdhjetë e gjashtë) lekësh, për organizimin e ceremonive zyrtare për ekspozimin e “Mesharit”, të Gjon Buzukut, në mjediset e Bibliotekës Kombëtare, dhe fondi prej 1 280 000 (një milion e dyqind e tetëdhjetë mijë) lekësh, për ekspozimin e armëve të Skënderbeut, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, sipas preventivave bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.
3. Ngarkohen Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE NR.3, TË KONTRATËS FINANCIARE, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS EUROPIANE TË INVESTIMEVE (BEI), PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT TË RRUGËS LEVAN - VLORË”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese nr.3, të kontratës financiare, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane të Investimeve (BEI), për financimin e projektit të rrugës Levan - Vlorë”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
P R O J E K T L I G J
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE NR.3 TË KONTRATËS FINANCIARE, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS EUROPIANE TË INVESTIMEVE (BEI), PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT TË RRUGËS LEVAN - VLORË
Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese nr.3 të kontratës financiare, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane të Investimeve (BEI), për financimin e projektit të rrugës Levan - Vlorë.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI (ÇOBA)