English

David Towndrow: Shqipëria kryen me profesionalizëm asgjësimin e municioneve edhe pse një vend i vogël

Mesditën e sotme u zhvillua mbledhja e radhës e Bordit Drejtues të Asgjësimit të Municioneve të Tepërta të Forcave të Armatosura për të analizuar ecurinë e procesit të demontimit të municioneve të tepërta për muajin shtator dhe gjithë 9-mujorin e vitit 2012, si dhe për të përcaktuar prioritetet e punës për përmbylljen me sukses të objektivave të këtij viti në këtë proces të rëndësishëm për FA.

Në këtë mbledhje, përveç anëtarëve të Bordit, mori pjesë edhe menaxheri i Projektit të NSPA (NATO Support Agency), z. David Towndrow (NSPA është Agjencia e Integruar e NATO për mbështetjen me shërbime dhe logjistikë). Menaxheri i Projektit të NSPA për Shqipërinë, z. David Towndrow, duke marrë fjalën në këtë takim theksoi se, kjo detyrë e vështirë nuk ishte e mundur të realizohet pa mbështetjen e lidershipit, ministrit të Mbrojtjes dhe mbështetjes profesionale të të gjithë anëtarëve të FA. Donatori kryesor në mbështetje të projekteve tona ka qenë Departamenti i Shtetit i SHBA. Por natyrisht ka edhe organizma dhe organizata të tjera të cilat nuk janë prezent sot këtu, por që kanë mbështetur projektin e demilitarizimit të municioneve në Shqipëri.

Më tej z. David Towndrow u shpreh: “Në eksperiencën time nuk kam parë ndonjë vend të vogël si Shqipëria që të ketë ndërmarrë një iniciativë të tillë dhe të kryejë këtë detyrë me profesionalizëm kaq të lartë, siç është Shqipëria në asgjësimin e një sasie të konsiderueshme të municioneve. Dhe sigurisht që për këtë do të merrni kreditet e nevojshme si një vend anëtarë i NATO”. Duke vlerësuar punën e kryer gjatë këtij procesi z. Towndrow është ndalur edhe në perspektivën e këtij procesi. “Natyrisht, tashmë në fazën e fundit të demilitarizimit të municioneve, - theksoi ai, - ne jemi të fokusuar edhe në qëndrueshmërinë dhe vijimin e këtij procesi edhe pas përfundimit të demilitarizimit të municioneve në Shqipëri.
Natyrisht që ne kemi një vizion, investimet e kryera në uzinat e demilitarizimit të municioneve, veçanërisht në Uzinën e Lëndëve Plasëse (ULP), në Mjekës. Këto investime do të shfrytëzohen dhe do të kthehen në kompani komerciale në funksion të demilitarizimit të municioneve, siç veprohet edhe në vende të tjera të NATO, si Itali, Gjermani dhe vende të tjera. Pajisjet në linjat e demontimit të municioneve të ngritura në ULP në Mjekës, plotësojnë të gjitha kushtet dhe të gjitha mundësitë për të bërë të mundur demilitarizimin e municioneve, si dhe për të asistuar edhe në demilitarizimin e municioneve të vendeve të tjera. Një ndër rastet më të mira që pati Shqipëria në fund të muajit prill qe Konferenca Rajonale për reduktimin e stoqeve, një konferencë që organizohet me iniciativën e Departamentit Amerikan të Shtetit, me pjesëmarrjen e të gjitha vendeve të Ballkanit, e cila u zhvillua në Tiranë dhe të gjithë ekspertët që ishin pjesëmarrës patën rastin dhe mundësinë të vizitonin dhe gjykonin nga afër procesin në linjat e demontimit të ngritura në Uzinën e Mjekësit”.

Nga ana e tij, zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Ekrem Spahiu në cilësinë e kryetarit të Bordit të Asgjësimit të Municioneve të tepërta vuri në dukje se, Ministria e Mbrojtjes ka një bilanc dhe një performancë të shkëlqyer në të gjithë veprimtarinë e saj, por sigurisht një nga prioritetet kryesore është përfundimi i procesit të demilitarizimit të municioneve të tepërta. Ne vazhdojmë me ritme të larta në përmbushjen e detyrës që qeveria shqiptare i ka dhënë Ministrisë së Mbrojtjes dhe rezultatet janë në rritje si çdo herë. I gjithë ky proces ka qenë dhe është transparent. Në 9-mujorin e vitit 2012 ne kemi arritur të demilitarizojmë 19 mijë e 55 ton municione të tepërta, në një kohë që në 9-mujorin e vitit 2010 ka qenë 14 mijë 291 ton dhe në 9-mujorin e vitit 2011 18 mijë e 851 ton. Deri në fund të këtij viti ne do të arrijmë të demilitarizojmë 26 mijë ton municione.
Që nga shtatori i vitit 2009, kur ka ardhur në krye të Ministrisë së Mbrojtjes z. Arben Imami, janë demilitarizuar 72 mijë e 861 ton, një shifër kjo marramendëse që askush nuk e ka besuar në shtator të vitit 2009. Sasia totale e municioneve që ka mbetur për t’u demilitarizuar deri në përfundim të plotë të këtij procesi është edhe 19 mijë e 790 ton. Gjatë 9-mujorit të 2012 janë eksportuar 4 mijë 318 ton, të cilat janë municione të tepërta dhe jashtë nevojave të FA. Për të siguruar një kosto sa më të ulët në këtë proces, prioritet i kemi dhënë eksportit, i bazuar tërësisht në zbatim të ligjeve shqiptare dhe atyre ndërkombëtare. Që nga qershori ne nuk asgjësojmë më municione në poligone, por vijojmë ato nëpërmjet rrugës industriale në uzinat ushtarake dhe në eksport. Gjithashtu janë reduktuar 30 depo të mbushura plot me municione dhe ajo që është më e rëndësishme është se gjatë këtij 9-mujori procesi i demontimit të municioneve është kryer pa asnjë incident, si në poligone ashtu edhe nëpër uzina.

Më tej zëvendësministri Spahiu falënderoi strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Shtabit të Përgjithshëm, Brigadën Logjistike, e cila ka qenë në krye të këtij procesi, ushtarakët e AME dhe gjithë punonjësit dhe drejtuesit e uzinave ushtarake që janë angazhuar në mbarëvajtjen e këtij procesi, si dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht Departamentin Amerikan të Shtetit që na kanë mbështetur fuqimisht në realizimin me sukses të procesit të demontimit të municioneve të tepërta.

“Në këto kushte ne do të vijojmë me ritme më të shpejta për të kryer këtë detyrë dhe garantojmë shqiptarët se ky proces do të përfundojë brenda 6 - mujorit të parë të vitit 2013, duke çliruar përfundimisht vendin nga një ngarkesë jashtëzakonisht e madhe që në momente të caktuara ka qenë serioze për sigurinë e vendit dhe të banorëve, duke përmbushur edhe një detyrim që kemi ndaj NATO për përfundimin e procesit të demilitarizimit”, është shprehur z. Spahiu.

KOMENTE