Më shumë se dhjetë vjet të proceseve të privatizimit në Kosovë, janë debatuar për disa orë në Kuvendin e Kosovës, në një seancë të thirrur enkas për këtë çështje.
Në mbledhjen plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr, Jakup Krasniqi, (një pjesë u udhëhoq nga nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti) u debatua lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë, sipas kërkesës së deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, si dhe mbi bazën e peticionit të rreth 64 mijë qytetarëve (pas shqyrtimit të peticionit nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për persona të pagjetur dhe peticione).
Me këtë rast, deputeti Visar Ymeri, propozues i këtij debati, në fjalën e tij tha se kërkesa për të diskutuar procesin e privatizimit në Kosovë është bërë për arsye se në këtë proces ka dyshime të mëdha sa i përket zhvillimeve në mungesë të transparencës, për të diskutuar jo vetëm pasojat , por edhe për pasojat e dëmshme për vendin që do t'i sjellë privatizimi. "Shitja paska qenë qëllim e premtimi për zhvillimin ekonomik vetëm mjet për ta arsyetuar shitjen", tha Ymeri.
Pasi foli për procesin e privatizimit që nga fillimi i këtij procesi, deputeti Ymeri tha se potenciali prodhues që kishte Kosova është shkatërruar si pasojë e privatizimit, duke përmendur dy miniera në Kamenicë dhe Lipjan.
Më tej ai foli edhe për Kosova-texin, për ndërrmarrjen e Vreshtarisë të cilat nuk janë duke prodhuar fare, si dhe për Feronikelin, me ç‘rast ai përmendi largimin e punëtorëve nga puna në Feronikel. Tutje foli edhe për rastet e shumta të fabrikave të cilat sot nuk janë funksionale.
"E tërë kjo ka rezultuar me gjendje të rëndë ekonomike për Kosovën dhe punëtorët, si pasojë e shkatërrimit të kapaciteteve prodhuese. Të gjitha ndërmarrjet e privatizuara e kanë reduktuar numrin e punëtorëve" tha deputeti Visar Ymeri, shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje!.
Duke folur për koncensionimin e Aeroportit Ndërkombëtar ai tha se punëtorët dhe kompanitë janë duke u larguar nga puna dhe se koncensioni i kryer nga kjo qeveri e ka rënduar tejet shumë ekonominë e Kosovës.
Sa i përket krijimit të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit ai theksoi se kjo agjensi nuk e ka ndihmuar shoqërinë të rimëkëmbet. "Qëllimi i AKM-së ka qenë ta shkatërrojë pronën që të shitet sa më lirë, e jo të zhvillohet ekonomia e vendit",.
Ymeri më tej tha se në vitin 2008 qeveria me procesin e privatizimit nuk e hap një proces të hetimit, por vazhdon me avazin e njejtë , aty ku e ka lënë AKM-ja duke hapur pista të reja të privatizimit, AKP-në.
"Jemi në momentin kur po kërcënohet e tërë prona publike që të privatizohet nga kjo qeveri. Po kërcënohet të privatizohet rrjeti i shpërndarjes elektrike, po kërcënohet të privatizohet PTK-ja, si dhe po kërcënohet të privatizohet edhe Trepça' tha Ymeri duke shtuar se Lëvizja Vetëvendosje e mbështet sektorin privat dhe e vlerëson se është i domosdoshëm për zhvillimin e vendit dhe se prona publikë është e rëndësishme sa prona private.
Ndërkaq, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj në debatin për procesin e privatizimit para deputetëve të Kuvendit tha se Qeveria e Kosovës, konform Kushtetutës së Republikës dhe në harmoni me vizionin për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, është e përcaktuar për reforma strukturale ekonomike, për funksionalizim të ekonomisë së tregut, për fuqizim të sektorit privat, për vendosje të normave të larta profesionale dhe institucionale në funksion të rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe krijimit të vendeve të reja të punës.
Me këtë rast, ministri Beqaj theksoi se gjatë procesit është siguruar respektim i plotë i ligjit dhe transparencë e plotë. "Parimi i transparencës, konkurrentshmërisë, trajtimit të barabartë të të gjitha kompanive të interesuara, diskutimi i hapur me të gjithë akterët vendorë dhe ndërkombëtar, punë profesionale, valorizim maksimal i resurseve natyrore dhe njerëzore, ruajtje e plotë e interesit të punonjësve, investimet afatgjata të cilat përmirësojnë infrastrukturën, eliminim i garancioneve shtetërore dhe eliminim i subvencionimit për mosinkasim, reduktimi i humbjeve komerciale dhe atyre teknike, janë parimet bazë të cilat i kanë përcjell dhe do i përcjellin këto transaksione", tha ai.
Beqaj u shpreh se Qeveria në asnjë rrethanë nuk konsideron se sektori privat është shkatërruesi i shtetit, se është sektor i kriminalizuar siç është prezantuar ditëve të fundit nga akterë të ndryshëm dhe huazi profesionistë të ekonomisë.
"Ky sektor punëson më se 80% të punonjësve të Kosovës dhe është kontribues i fuqishëm i buxhetit, buxhet ky i cili i siguron pagat për arsimtarët, për policët, për ushtarët, për pensionistët, financon krijimin e universiteteve të reja, ndërtimin e shkollave të reja, mundëson ndarjen falas të librave shkollor për nxënësit e Republikës sonë dhe njëkohësisht financon të gjitha projektet tjera të infrastrukturës, projekte këto që po e bëjnë qytetarin tonë aspirues të denjë për integrim në BE", theksoi ministri Beqaj duke vlerësuar më tej se duhet të jemi racional në paraqitjen e realitetit ekonomik të pasluftës në Kosovë dhe të qartësojmë përfundimisht që nuk është privatizimi ai që ka shkatërruar dhe po shkatërron ekonominë e vendit.
"Kosova është shkatërruar ekonomikisht nga politika okupuese dhe shkatërruese serbe dhe nga lidhja e ekonomisë së Kosovës me atë të Serbisë, dhe mund të shkatërrohet sërish me politika të gabuara. Në vitet 90-ta kur Kosova ishte pjesë e ekonomisë së planifikuar të Ish Jugosllavisë asnjë ndërmarrje shoqërore nuk është menaxhuar në bazë të asnjë parimi ekonomik. Të gjitha ndërmarrjet shoqërore dhe publike për 10 vite të tëra janë plaçkitur dhe shkatërruar vazhdimisht duke kulminuar edhe me shkatërrim të tërë infrastrukturës përcjellëse të tyre gjatë luftës", tha mes tjerash ministri Beqaj.
Tutje, ministri Beqaj tha se ka pengesa për ta penguar këtë reformë strukturale të ekonomisë dhe këto pengesa nuk vijnë vetëm nga brenda por vijnë edhe nga jashtë.
"Për informimin tuaj kemi një letër që vjen nga Aleksander Vulin, i cili bën ftesë për ta ndërprerë procesin e privatizimit dhe ka pretendime të drejtpërdrejta mbi ekonominë e Kosovës dhe mendoj që këto gjëra duhet të trajtohen në veçanti", tha ndër të tjera Beqaj.
Ndërsa, në vijim të mbledhjes, Adem Grabovci, shef i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, tha se privatizimi në Kosovë si proces nuk ka filluar e as nuk do të përfundojë me këtë qeveri, duke shtuar se ky është proces i vazhdueshëm i cili determinohet nga ekonomia e lirë e tregut dhe zhvillimet tjera nacionale dhe globale. Ai duke përmendur faktin se ka pasur probleme të vazhdueshme në rrafshin politik sa i përket privatizimit, tha se Serbia ka lobuar dhe po lobon pa ndërprerë që privatizimi të mos ndodh në Kosovë, aq më pak nga institucionet e pavarura të Kosovës.
Grabovci shtoi se bazuar në Kushtetutën e Kosovës për ekonomi të lirë të tregut, bazuar në vendimet e këtij Kuvendi, si dhe bazuar në Ligjin për Ndërmarrje Publike, tha se kemi parë se si procesi i privatizimit është zhvilluar me transparencë të plotë dhe në bazë të standardeve më të larta ndërkombëtare. Ai shtoi se në këtë proces kanë qenë të përfshirë të gjitha grupet e interesit, si shoqëria civile, institucionet vendore, ndërkombëtare, investitorët dhe punëtorët. "Edhe Qeveria ka bërë maksimumin që të sigurojë transparencë të plotë ndaj të gjithë këtyre grupeve", theksoi Grabovci, duke shtuar më tej se strategjia e energjisë e miratuar në këtë Kuvend, konfirmon se Qeveria e Republikës së Kosovës është përkushtuar për privatizimin e aseteve publike duke respektuar vendimet e Kuvendit te Republikës së Kosovës.
"Grupi Parlamentar i PDK-së, beson se të gjitha grupet e interesit ashtu edhe grupet parlamentare në Kuvend, të cilat e dëshirojnë zhvillimin ekonomik të vendit duhet ta mbështesin procesin e privatizimit, në mënyrë që t'i japim kurajë investitorëve të huaj që kanë synim të investojnë në vendin tonë.', tha ai duke shtuar se kërkojmë që Kuvendi i Republikës së Kosovës të shtojë kontrollin dhe të kërkojë llogaridhënie edhe më të madhe nga AKP-ja, e cila është organ i pavarur publik i themeluar po nga ky Kuvend.
Krejtësisht në fund, Grabovci tha se Grupi Parlamentar i PDK-së do të mbështes edhe në të ardhmen procesin e privatizimit, të bindur se është në interes të forcimit të shtetit të Kosovës.
Ndërkaq, Teuta Sahatqija, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se LDK-ja e përkrah privatizimin duke shtuar se LDK beson se Iniciativa private, konkurrenca dhe tregu i hapur janë forcat kryesore që sigurojnë prosperitet ekonomik. "Në parim ne e përkrahim privatizimin pasi besojmë se iniciativa private, motivimi, dinamika e shëndrrojnë një ndërmarrje në ndërmarrje aktive, të aftë për tu përballur më lehtë me vështirësitë dhe me dinamike në përshtatje kërkesave të kohës. "Menaxhimi jo i mire i privatizimit nuk ka sjellë rritjen e punësimit pasi sot kemi 70.000 të papunë", theksoi ajo. Mes tjerash Sahatqija tha se LDK pati kërkuar që Trepça si ndërmarrje e interesit të veçantë të ketë një ligj special për të e jo të trajtohet së bashku me ndërmarrjet tjera.
Tutje ajo shtoi se rasti i procesit të privatizimit të distribucionit ku çmimi i ofruar për tërë infrastrukturën e distribucionit, me rrjetin transmetues, trafostacione, pajisje, kuadër ishte 26 milion, paraqet një rast drastik të abuzimit me privatizim, ndërsa, rasti i PTK-së e vërteton mungesën e kujdesit për interesin e Kosovës, tha deputetja Sahatqija e cila paraqiti disa rekomandime. Duke pohuar faktin se LDK si parti e qendrës së djathtë, përkrah në parim privatizimin si proces, tha se kjo parti kërkon të rishikohet privatizimi i disa prej aseteve kryesore publike që ka Kosova, duke vazhduar me rekomandimet e radhës: "Privatizimi i PTK-së të sillet në Kuvendin e Kosovës për aprovim, së bashku me një strategji lidhur me këtë privatizim, e cila strategji definon interesat e Republikës së Kosovës në këtë aset publik dhe mënyrën se si do të përdoren mjetet nga privatizimi i kësaj ndërmarrjeje publike. Të rishikohet Strategjia Energjetike e Republikës së Kosovës nga ana e Qeverisë dhe të sillet në Kuvendin e Kosovës për aprovim, e cila duhet të definoi interesat e Kosovës në këtë sektor. Të shtyhet privatizimi i "Kosova B" , ndërtimi i "Kosova e Re" dhe i Distribucionit deri pas aprovimit të Strategjisë Energjetike të Republikës së Kosovës nga ana e Kuvendit të Kosovës. Të përgatitet një strategji nacionale nga ana e Qeverisë dhe të sillet për aprovim në Kuvendin e Kosovës lidhur me shfrytëzimin e mjeteve të mbledhura nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore në kuadër të AKP-së si dhe mjetet nga privatizimi i ndërmarrjeve publike", përfundoi deputetja Sahatqija.
Ndërkaq, deputetja Donika Kadaj-Bujupi duke folur në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së, tha se Qeveria e Kosovës përmes një paradigme të çuditshme ekonomike ka shfrytëzuar privatizimin si mjet për tu pasuruar vet, e jo si mjet për të arritur një qëllim që në rrethana tjera do të ishte mjet për thithjen e kapitalit privat, zhvillimin e biznesit, uljen e papunësisë, futjen e konkurrencës në treg dhe de-monopolizimin.
Duke vlerësuar se transparenca gjatë procesi të privatizimit në Kosovë ka qenë zero, Kadaj shtoi e transformimi i ndërmarrjeve publike në këtë proces nga fillimi e në mbarim është shfrytëzuar në esencë për keqpërdorim, ndërsa shtoi se deri në sqarimin e shumë paqartësive që e ka përcjell këtë proces, ka punë hetuesia.
"Privatizimi degradues në vend duhet të ndalet deri në fuqizimin e shtetit ligjor që do të mundësonte një privatizim tjetër nga ai që kemi parë deri më sot, Si i tillë duhet të ndërpritet menjëherë,. Në të kundërtën, do të përfundojmë me falje e me investitorë që për qëllim nuk kanë qëndrim afatgjatë dhe zhvillim, por marrje dhe ikje sa më të shpejtë të pasurisë së vendit gjatë transformimit nga sektori publik në atë privat. "Gjatë këtij procesi në 99 për qind të rasteve punëtorët kanë mbetur në rrugë sepse nuk kemi pasur privatizim të suksesshëm dhe jo rastësisht sot kemi 66 mijë nënshkrime kundër privatizimit" tha Kadaj - Bujupi.
Tutje, shefja e Grupit Parlamentar të AKR-së, Myzejene Selmani, tha se AKR-ja është për privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore dhe ndërmarrjeve publike, duke shtuar se privatizimi duhet të jetë transparent dhe i përgjegjshëm, si dhe duhet të ketë llogaridhënie edhe për deputetët edhe për qytetarët dhe njëkohësisht duhet ruajtur investitorin i cili vjen në Kosovë.
Ajo tha se të gjithë jemi për ekonomi të lirë të tregut dhe hyrjen e investimeve private në shtetin tonë, duke apeluar te deputetët dhe qeveria që të ketë konsensus për çështjen e privatizimit . Sipas saj nëse arrihet konsensusi atëherë nuk do të ketë kriza sociale dhe as protesta të qytetarëve.
"Besoj se kryeministri, ministrat dhe komisioni ndërministrorë për çështjen e privatizimit të ndërmarrjeve publike do të jenë në favor të interesave të qytetarëve të Kosovës.", tha Selmani.
Pas deklarimeve të shefave të grupeve parlamentare, foli edhe Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ai tha se privatizimi do të duhej të ishte në shërbim të zhvillimit ekonomik, e kjo deri më sot nuk ka ndodhur. Kjo do të thotë se privatizimi është bërë keq, tha Krasniqi.
Kryeparlamentari Krasniqi mes tjerash shtoi se procesi i privatizimit në Kosovë është përcjellë me dobësi duke e theksuar faktin se pas 17 shkurtit 2008 nuk është bërë asnjë përpjekje serioze për të ndryshuar këtë proces. Ai tha se përgjegjësia për këtë është e të gjitha kabineteve qeveritare të pasluftës të cilët kanë përzgjedhur njerëz që ishin e janë pjesë e krimit të organizuar ekonomik dhe se standardi i njerëzve të zgjedhur e të emëruar në institucione më të larta të shtetit është nën çdo nivel.
"Ky vend e ky popull është grabitur, plaçkitur, është persekutuar, është vrarë e dëbuar mjaft nga pushtuesit në të kaluarën. Ky popull duhet të qeveriset me pasuritë e tija tokësore, nëntokësore, me pasurinë e tij njerëzore. Deri sot , ata që kanë qeverisur në këtë vend nuk janë dëshmuar që dinë ta qeverisin këtë vend e këtë popull. "I kemi parë se dinë të pasurohen jashtëligjshëm, kanë ndërtuar kulla e pallate prej hiq gjëje, kanë bërë firma ndërtimi e shumëçka tjetër dhe askush nuk ua ka prishur timin e duhanit, po vazhdojnë të mbesin perspektiva e qeverimit të këtij vendi, kjo është e tmerrshme.
Ne jemi përcaktuar për ekonomi të lirë të tregut, jemi përcaktuar edhe për privatizimin që e kemi filluar keq që në kohën e UNMIK-ut, por që tani duhet ta ndryshojmë, ta përparojmë e ta bëjmë më transparent e në interes të publikut. I kemi do pasuri që nuk duhet t'i privatizojmë si Ferronikelin, ku janë bërë një seri gabimesh", theksoi Krasniqi duke përmendur shumë nga mangësitë dhe shkeljet që e kanë përcjellë privatizimin e Ferronikelit, duke shtuar se nëse nuk mund të korrigjohen këto , së paku mos të ecim në të njejtën udhë për këto pasuri që presin t'i privatizojmë.
"Shumë privatizime deri më sot kanë dëshmuar se janë bërë keq, por rasti i Grandit, po tregon se interesimi i krimit të organizuar për Postën, KEK-un dhe Trepçën do të jetë shumëfish më i madh dhe mund t'i kalojë kufijtë e Kosovës. Tani, ne, Kuvendi duhet ta kërkojmë ndihmën e SHBA-së e të BE-së që të na ndihmojnë në ndërprerjen e privatizimit derisa të forcojmë sundimin e ligjit. Se mungesa e ligjeve të mira, ekzistimi I liderëve mbi ligjin së bashku me krimin e organizuar janë argumente të fuqishme se privatizimi nuk do të behët për të mirën e publikut. Për të dalë nga kjo gjendje kaotike, privatizimi duhet t'i lihet kuvendit me dy të tretat e shumicës shqiptare, por jo me çfarëdo shumice prej dy të tretave. Me kushtin që deputetët të jenë pa kalkulatorë në xhepa. Ndryshe pasuria e Kosovës do të bëhet ‘rrush e kumbulla'"
Krejtësisht në fund kryeparlamentari Krasniqi tha se jemi të obliguar që qytetarëve tanë t'ua kthejmë besimin në institucionet tona, për të cilat ka sakrifikuar shumë dhe besimin në përfaqësimin tonë nëse nuk dëshirojmë të bëhemi vrasës të ardhmërisë e demokracisë në Kosovë. Jemi të obliguar ta mbrojmë kushtetushmërinë dhe ligjshmërinë në Republikën e Kosovës. Edhe rruga 100 vjeçare e kombit na obligon për këtë", përfundoi kreu i Kuvendit.
Ndërkaq, nënkryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se AKP-ja ka arritur që me anë të 56 valëve të privatizimit në Kosovë të shesë gjithë pasurinë dhe potencialin ekonomik që kemi ndërtuar për gjenerata me radhë. Janë shitur mbi 400 ndërmarrje shoqërore për rreth 600 milion euro. Dhe në vend që këto para të vihen në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës, ato po shërbejnë për shtetet tjera pasi që janë të plasuara jashtë vendit. "Ajo çfarë ka sjellë ky privatizim mund të përmblidhet në dy rezultate të vetme: zhvlerësimin drastik të ndërmarrjeve deri në shpronësim; si dhe pasurimin marramendës të e atyre zyrtarëve politikë të zhytur në korrupsion", tha Konjufca duke shtuar se çdo ndërmarrje shoqërore, e sidomos ato prodhuese me potencial dëshmojnë këtë dështim, siç janë; SharrCemi, Ferronikeli, Fabrika e Tubave, etj. "Secila prej tyre është shitur me çmime qesharake. Ndërmarrjet janë zhvlerësuar deri në shpronësim dhe, në vend që të përfitonte shoqëria e qytetarët u pasuruan vetëm politikanët në krye të procesit t këtij privatizimi të egër' tha mes tjerash Konjufca.
Deputetët gjatë diskutimit të tyre paraqitën disa nga defektet që kanë përcjellë procesin e privatizimit, ndërsa disa nga deputetët theksuan se mbështesin procesin e privatizimit meqë kjo është në interes të forcimit të shtetit. Po ashtu, u theksua se PTK, Trepça, dhe KEK (KEDS) janë asete strategjike dhe si të tilla janë të pa-zëvendësueshme në çfarëdo modeli të mirëfilltë zhvillimi, duke kritikuar qeverinë për tjetërsimin e tyre. Disa nga deputetët kërkuan që të shtyhet privatizimi deri në zgjidhjen e rasteve të atakuara, ndërkaq u kërkua nga Kuvendi që të ketë një rol më aktiv në këtë proces.
U tha se procesi i privatizimit nuk i ka përmbushur as për së afërmi të priturat e punëtorëve, bujqve, duke vlerësuar se ka pasur një proces të dështuar. Duke përmendur rastin e Hotelit "Grand" u tha se qeveria është dashur ta ndryshojë edhe qasjen e privatizimit të PTK-së dhe KEK-ut.
Deputetët kërkuan që të formohet një komision i posaçëm për çështjen e privatizimit dhe të ketë një analizë për këtë proces që nga fillimi e gjer më sot. Në këtë mënyrë, u tha se duhet t'i raportohet Kuvendit për të gjitha proceset dhe të zbardhet ky kapitull. U tha se privatizimi nuk e lë vetëm shtetin e Kosovës pa KEK-un por e lë edhe KEK-un pa shtetin e Kosovës, theksuan disa nga deputetët.
Duke vënë në pah se qëllimi i deputetëve nuk është bllokimi i privatizimit u vlerësua se me këtë linjë që po e ndjek Qeveria gjërat do të përkeqësohen, duke vlerësuar se faktor kryesor i papunësisë dhe varfërisë në Kosovës është privatizimi.
Gjatë këtij debati parlamentar foli edhe Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili duke përshëndetur debatin parlamentar të zhvilluar në Kuvend tha se ky debat është në interesin e transparencës, në interesin e opinionit publik dhe në interesin e zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Ai tha se nga formimi i AKM-së vendimet për emërimet në bord i ka bërë UNMIK-u, ndërsa nga viti 2004 gjer më 2008 anëtar të bordit në agjensinë e privatizimit janë bërë nga UNMIK-u dhe qeveria e atëhershme e cila përbëhej nga LDK-ja dhe AAK-ja, duke shtuar se politizimi kishte filluar qysh në atë periudhë. Më tej kryeministri i vendit shtoi se si kryeministër pati vendosur që të mos propozohen ministra në bordin e AKP-së. "Bordi i ri ishte propozuar nga qeveria dhe është zgjedhur nga Kuvendi. Ai bord është ende aktiv. Ky bord i ka raportuar vetëm Kuvendit dhe Kuvendi ka aprovuar çdo raport të punës së agjensisë së privatizimit, vazhdimisht dhe në mënyrë unanime", tha kryeministri Thaçi. Ndërkaq duke folur rreth vendimeve të qeverisë, me theks të veçantë për koncensionimin e Aeroportit, ai tha se aeroporti tashmë është ndër aeroportet më të mira në rajon, ndërsa sa i përket vendimit për Distribuimin e rrjetit energjetik, qeveria nuk e ka përcaktuar çmimin por ekonomia e lirë e tregut, theksoi Thaçi. Gjatë këtij debati lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë folën edhe ministrat Bedri Hamza e Bajram Rexhepi.
Pas përfundimit të debatit deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, paraqiti për votim mocionin e harmonizuar me LDK-në dhe AAK-në, ndërkaq Grupi Parlamentar i PDK-së, paraqiti po ashtu për votim rezolutë lidhur me këtë proces.
Megjithatë, Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se bazuar në Rregulloren e Kuvendit, para se të paraqitet mocioni për votim duhet të dërgohet në Zyrën për propozime dhe Parashtresa, me ç‘rast duhet të dërgohet teksti për harmonizim. Votimi do të behët në seancën e radhës.