English

Duhet hequr urgjent taksa e biznesit të vogël, shprehet Rama

“Taksa e biznesit të vogël nuk ishte një sukses”, është shprehur sot kryeministri Berisha. Pikërisht kjo fjali ka nxitur kryetarin socialist Rama në një deklaratë për shtyp.

Partia Socialiste është e vendosur që me ardhjen në pushtet pas 9 muajsh të heqë taksën e biznesit të vogël, por kjo periudhë mund të rezultojë fatale për shumë nga bizneset që mezi po mbijetojnë në një kohë krize, si kjo që po kalon ekonomia kombëtare dhe ekonomia familjare në Shqipëri. Nisur nga ky fakt lideri i PS-së, Edi Rama i ka kërkuar kryeministrit të vendit që të nxitojë për ta hequr këtë taksë që po i merr frymën motorit kryesor të ekonomisë shqiptare. “I them Saliut- hiqe një orë e më parë taksën e biznesit të vogël. Mos prit që rrënimi që vazhdon prej vitesh ta ndryshkë krejtësisht këtë motor tanimë të fikur të ekonomisë sonë. Biznesi i vogël është motori kryesor për zhvillimin e ekonomisë shqiptare dhe për rritjen e punësimit dhe të mirëqenies”, është shprehur kryesocialisti Rama gjatë një konference për shtyp të mbajtur sot paradite.

“Në fakt kjo qeveri s’ka një program për Shqipërinë dhe për shqiptarët, por ka vetëm një projekt për vetvete, për Saliun dhe për ministrat e Saliut. Prandaj edhe nuk çuditem që herë pas here, çka ndjejnë, shohin, apo dëgjojnë duke ndjekur rrugën e Programit tonë përvetësojnë tezat tona.”
Sipas Kryetarit Rama sot biznesi i vogël po kolapson dhe këtë kolaps nuk e fshehin dot mjetet e propagandës pro qeveritare. “Prandaj duhet hequr urgjent taksa e biznesit të vogël dhe duhet kaluar padyshim edhe nga taksa e sheshtë tek taksimi i ndershëm”. Ai i ka mëshuar fort idesë se zerimi i taksës së biznesit të vogël është një emergjencë ekonomike. “Unë e përsëris është mirë të bëhet sot, është mirë ta bëj tani kjo qeveri, pa pritur që të ndodh pas nëntë muajsh me qeverinë e re të socialistëve dhe progresistëve”, e ka mbyllur deklaratën për media kreu i Partisë Socialiste

KOMENTE