Edhe një vajzë shqiptare është arrestuar dje nga policia greke, e cila ka rezultuar mes personave të maskuar që shkaktuan dhunë dhe incidente në protestat e 26 shtatorit në Athinë.
Joana Kristofor Duci, lindur më 19 janar 1988 në Shqipëri dhe me banim në Athinë është njëra prej 9 të arrestuarve nga policia greke e cila ka publikuar edhe fotot me emrat ditën e djeshme.
Së bashku me të arrestuarit e tjerë, të cilët janë shtetas grekë, akuzohet për përdorim dhune, prishje të qetësisë publike, për fshehje të identitetit me maskë dhe për posedim të bombave shpërthyese.
Protestat paqësore të javës së kaluar në Athinë u prishën nga dhuna e personave të maskuar, si pasojë e së cilës pati edhe disa të lënduar, mes të cilëve edhe 2 policë.