English

Qeveria shqiptare e fokusuar në përfshirjen e të rinjve në debatin publik

Në datat 23-25 shtator 2012, u zhvillua Konferenca e 9-të e Këshillit të Evropës për Ministrat Përgjegjës për Rininë me temë
“Aksesi i të rinjve tek të drejtat e tyre: Zhvillimi i politikave inovative rinore”, në Shën Petërburg të Rusisë.

Delegacioni shqiptar ishte i përbërë nga Zv/ Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Z. Abaz Hado dhe Specialistja për Marrëdhëniet me Jashtë, Zj.Adela Çafuli.

Konferenca u organizua nga Këshilli i Evropës në bashkëpunim me Ministrinë e Edukimit dhe Shkencës të Federatës Ruse. Në këtë konferencë Shqipëria mori pjesë në emër të Presidencës të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.

Zv/ministri i TKRS-së, Z. Abaz Hado gjatë prezantimit tha ndër të tjera se:-“Shqipëria si kryesuese e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës është fokusuar në promovimin e shoqërive demokratike të qëndrueshme, në forcimin e demokracisë lokale dhe rajonale, promovimin e të drejtave të njeriut dhe të rregullave të ligjit, dhe të reformave politike dhe efektivitetit më të lartë të Këshillit të Evropës.

Qeveria jonë shtoi Z. Hado, është fokusuar në përfshirjen e të rinjve në debatin publik dhe në formulimin e politikave të cilat influencojnë jetesën e tyre. Prandaj ne vendosëm që një nga prioritetet e Presidencës së Shqipërisë në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës, është fokusimi tek të rinjtë. Ne ndjehemi mirë kur në fund të 6 muajve do tju informojmë se kemi zhvilluar sëbashku me këshillin e Evropës dhe Komisionin Evropian këto tre aktivitete të rëndësishme:
- Në fillim të muajit shtator u zhvillua Konferenca për Shkëmbimin në dimensionin fetar të dialogut ndërkulturor me titull “Të marrim përgjegjësitë për Evropën e së nesërmes : roli i të rinjve në dimensionin fetar të dialogut ndërkulturor”. Në këtë eveniment morën pjesë shumë të rinj nga organizata fetare dhe jo fetare të cilët morën pjesë në një diskutim shumë aktiv.
- Javën që kaloi u zhvillua “kampi për paqen” i të rinjve të Evropës Juglindore, organizuar nga Departamenti i të Rinjve të Këshillit të Evropës dhe Shqipërisë.
- Dhe javën tjetër do të mbajmë një konferencë në bashëpunimin për politikat rinore në Evropën Juglindore, me një fokus të veçantë në njohjen e punës së të rinjve dhe mësimit jo formal”, tha në fund të fjalës së tij Zv/ministri I TKRS-së Z. Abaz Hado.

Në këtë konferencë morën pjesë 44 shtete palë të Konventës Europiane për Kulturën.

Ndër të tjera, përfaqësues të Këshillit të Evropës përgëzuan punën e bërë nga Shqipëria gjatë periudhës së Presidencës shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës e cila ka dhënë rëzultate shumë të mira në drejtim të politikave të Këshillit të Evropës.

KOMENTE