Ministri i Drejtësisë , z. Eduard Halimi mbajti dje një takim konsultativ mbi reformën e sistemit te drejtësisë për të prezantuar dhe diskutuar tre reformat të planifikuara për sistemin gjyqësor. Në të merrnin pjesë , zëvendëskryetari i KLD-së, z. Elvis Cefa , z.Joaqin Urias, shefi i misionit Euralius dhe kryetaret e gjykatave te rrethit dhe apelit si dhe përfaqësues nga Gjykata e Larte dhe Kushtetuese.
Tryeza kishte si qëllim diskutimin rishpërndarjen e gjyqtarëve të shkallës së parë dhe të apelit sipas ngarkesës me qëllim rritjen e efiçensës së gjyqësorit; përmirësimin e legjislacionit në kuadër të rritjes së efiçensës së sistemit gjyqësor; Përcaktimi i numrit të nevojshëm të gjyqtarëve për çdo gjykatë administrative te shkalles se pare dhe apelit ne Shqipëri dhe fillimi i procedurave per funksionimin e tyre
Në fjalën tij ministri theksoi se reformimi i sistemit të drejtësisë është një proçes i gjatë, i vështire e kompleks : “Sistemi i drejtësisë sulmohet shpesh edhe për arsyen se ai është një shënjestër e lehtë, dhe gjah i lehtë, për shkak të gabimeve që jo rrallë herë i ndodhin, apo per shkak te pakënaqësive qe krijohen.
Ministri i bëri thirrje publike që të përkrahet drejtësia duke thënë që sulmi ndaj saj dëmton besimin e qytetarëve ndaj drejtësisë.” E lehtë është të sulmosh, te anatemosh, por pa kuptuar se aty ka edhe gjyqtarë të ndershëm, të cilët preken dhe demotivohen. E lehte është te hapesh gazetën politike duke sulmuar gjyqtaret, por duhet kuptuar se ne fakt nuk po sulmon një gjyqtar, por po sulmon sistemin.”.Ai i konsideroi reforma që po bëhen në sistem jo si favore politike por si reforma që i interesojnë qytetarëve.
Ministri Halimi prezantoi para gjyqtarëve 2 studime që prekin thellësisht sistemin gjyqësor dhe synojnë reformimin te ndjeshëm te tij : Studimin për rishpërndarjen e numrit të gjyqtarëve në çdo gjykatë në gjithë Shqipërinë. Pjesë e te të cilët është edhe përcaktimi i numrit të gjyqtarëve për çdo gjykatë administrative në vend si dhe studimin për përmirësime ligjore në drejtim të efiçensës në sistemin gjyqësor duke eleminuar proçedurat gjyqësore për dëshmitë e trashëgimisë dhe urdhërat e ekzekutimit.
“Ministria e Drejtësisë synon të rishpërndajë tërësisht numrin e gjyqtarëve për çdo gjykatë, duke krijuar një fizionomi krejtësisht të re të sistemit gjyqësor në Shqipëri. Një fizionomi që do ti përshtatet tërësisht efiçensës së sistemit, duke rritur numrin e gjyqtarëve në gjykatat me ngarkesë të lartë, duke ulur numrin e gjyqtarëve në gjykatat e vogla dhe duke rritur numrin e gjyqtarëve në gjykatat e apelit.”- tha në fjalën e tij Ministri Halimi.
Një reformë tjetër në të cilët u ndal më tej Ministri Halimi ishte rritja e efiçenses dhe efikasitetit në sistemin gjyqësor më synim eliminimin e procedurave gjyqësore në çështjet që kanë të bëjnë me vendimet gjyqësore, në lidhje më dëshmitë e trashëgimisë dhe urdhërat e ekzekutimit.
“ Ne propozojmë që këto vendime gjyqësore të hiqen nga procedurat gjyqësore dhe ti kalojnë noterit. Nëpërmjet sistemit të ri të noterisë, qytetari vetëm brenda pak minutave mund ta marrë këtë sherbim shumë më shpejt. Kjo reformë ka rëndësi edhe për sistemin gjyqësor, sepse do të lehtësoje punën e gjyqtarëve për mijëra e mijëra dosje. Proçesi i lëshimit të urdhërave të ekzekutimit duhet të reformohet dhe ne kemi paraqitur një skeme e cila do të eliminojë automatikisht gjithë këtë ngarkesë të jashtëzakonshme për qytetarët dhe gjyqtarët.
Një tjetër çështje që u mor në diskutim ishte edhe çështja e rritjes së pagave të gjyqtarëve si dhe hapat që po bëhen për ngritjen dhe funksionimin e gjykatave administrative. Ka përfunduar ndërtimi i gjykatave në Tiranë për shkallën e parë dhe atë të Apelit dhe po ashtu ka përfunduar dhe rialokimin e këtyre gjykatave në 5 rrethe të tjera.
“Në studimin e paraqitur, bazuar në statistikat zyrtare që ne kemi për numrin e gjyqtarëve për ketë çështje, ne kemi menduar se numri i gjyqtareve në çdo gjykate administrative te jete nga 4 gjyqtarë në çdo gjykatë dhe në Tiranë të jetë 16, ndërsa për Apelin të jetë 7. Ndaj dhe shume shpejt, qe javën e ardhshme do ti propozoj KLD dhe Presidentit fillimin e procedurave për emërimin e këtyre gjyqtareve, sipas procedurave qe parashikon ligji i miratuar ne parlament pak muaj me pare.” – tha lidhur me këtë çështje Ministri Halimi.
Më pas fjalën e mori z. Joakin Urias, drejtues i misionit Euralius, i cili vlerësoi reformën dhe përpjekjet e mëdha që po bëhen për rritjen e eficenës së sistemit gjyqësor.” Është një angazhim i madh nga të gjithë aktorët e drejtësisë për realizmin e kësaj reforme duke përfshirë KLD, Ministrinë e Drejtësisë , gjykatat. Mbas një analizimi të bërë të statistikave të gjykatave në rrethe jemi befasuar që një numër i madh çështjesh zvarriten pambarimisht duke shtuar ngarkesën e gjyqtarëve dhe duke cenuar interesat e qytetarëve. “
Më tej ai tha se është bërë një studim serioz i rëndësishëm i cili do t’i shërbejë rritjes së eficensës në sistemin gjyqësor dhe në atë drejtësinë në përgjithësi po punohet mbi studimin e rritjes së pagës së gjyqtarëve me fokus uljen e ndjeshme të elementet korruptiv në këtë sistem.
Sipas shefit të misionit të EURALIUS, “ studimet e prezantuara nga Ministri synojnë rritjen e numrit të gjyqtarëve rishpërndarjen e tyre nëpër gjykata në bazë të ngarkesës dhe rritjen e pagës së tyre si dhe uljen e elementeve korruptiv në sistemin gjyqësor duke rritur masat ndëshkuese ndaj gjyqtarëve. “
Nga ana e tyre kryetarët e gjykatave të pranishëm në takim, e vlerësuan këtë iniciativë të Ministrisë së Drejtësisë si një nismë transparente dhe që nuk ishte marrë parë . Ata vlerësuan studimet e prezantuar si të tilla që prekin çështje të rëndësishme të sistemit gjyqësor dhe i japin e organizmit dhe funksionimit të tij. Këto nisma sipas tyre, do t’i shërbejnë më së miri sistemit gjyqësor por edhe qytetarëve për të marrë drejtësi sa më të shpejtë .
Tryeza kishte si qëllim konsultimit me aktorët e sistemit cili synon të shërbejë jo vetëm shkëmbimit të ideve dhe përmirësimit të substancës së një reforme, por mbi të gjitha të siguronte që reforma të kuptohet dhe të pranohet nga aktorët që do e zbatojnë në praktikë. Në këtë proces Ministria e Drejtësisë ka angazhuar partnerët Euralius, misionin e Be në Shqipëri dhe CEPEJ, organizatë e KiE për çështjet e drejtësisë.