Grevistët të cilët janë futur në ditën e 11-të sot, janë vizituar dje edhe nga një grup të rinjsh anëtarë të partisë më të re, nga Fryma e Re Demokratike.
“Jemi këtu për t’iu mbështetur e për t’u solidarizuar me kërkesat tuaja, që na duken të gjitha të drejta,- tha në emër të të rinjve Roxhensa Allko
Ky nuk është problem vetëm i juaji, por edhe i yni, i ne të rinjve që kemi lindur në vitet ’90, atëherë kur ju menduat se vuajtjet tuaja mbaruan. Nuk pajtohemi dot me neglizhenzën zyrtare ndaj grevës suaj e mendojmë se nëse zëri i kësaj shtrese nuk dëgjohet, atëherë zëri i asnjë shtrese nuk ka shanse për t’u marrë në konsideratë nga qeversija aktuale. E kjo ështe e patolerueshme për ne”.
Të rinjtë e FRD-së biseduan gjatë me grevistët, që ishin sot në gjendje edhe më të rëndë shëndetësore se më parë. Ambulanca rrinte në gadishmëri të plotë përbri tendave ku po zhvillohet greva, ku të rinjtë aktivistë nuk rreshtën së foluri me të gjithë grevistët.
“Ne bëjmë detyrën tonë, sepse kërkojmë të drejtat tona. Por edhe ju të rinjtë, duhet të bashkoheni që zëri juaj të dëgjohet, sepse indiferenca ndaj trajtimit që po na bëhet edhe neve, edhe juve, mund të çojë në përsëritje të historisë. Ndaj, reagoni që të qeveriseni më mirë sesa ne” – u shpreh i indinjuar një prej të burgorsurve, që shtypte pa fund cigaret e konsumuara.
Grupi i të rinjve të Frymës së Re Demokratike theksoi se do të bëjë çmos, në mënyrë aktive, që edhe zëri i grevës, edhe mbështetja e brezit të ri, të mbërrijë në veshët e shurdhët të përgjegjësve për këtë gjendje absurde ku ndodhen sot ish-të përndjekurit politikë.