English

Basha: Plani urbanistik i Tiranës, transformim rrënjësor për Tiranën

Bashkia e Tiranës në vazhdim të takimeve për planin urbanistik të Tiranës, dje është ndalur në Njësinë Bashkiake nr.4.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha tha se plani do të shënojë një transformim rrënjësor për Tiranën në përgjithësi dhe Njësinë Bashkiake nr. 4 në veçanti.

“Urbanistët dhe arkitektët, ekipi i ekspertëve vjen sot me propozime rinovuese për të gjithë morfologjinë e kësaj zone, që nga investimi i madh strategjik i rehabilitimit të lumit të Tiranës dhe ndërtimit të Unazës në dy drejtimet e saj, që nuk do të jetë thjesht një rehabilitim lumi dhe një Unazë, por do të jetë një mundësi më shumë për të krijuar të paktën 3 momente, parqesh çlodhëse dhe rekreative në territorin e kësaj njësie bashkiake. Shkolla e Bashkuar, që për të gjithë ne është një territor i rrethuar ushtarak, ky plan e parashikon si një zonë mikse universitare dhe rekreative për banorët e kësaj zone, me funksione qendre. Po keshtu kemi dhe zona te tjera, duke përfshirë këtu zonën e Rrapit Trish, ku studimi parashikon ambiente rekreative, sportive dhe universitare si dhe zona të tjera me funksione mikse, ekonomike, sociale, tregtare” – u shpreh z. Basha.

Në njësinë Bashkiake nr. 4 parashikohet ndërtimi i 11 çerdheve, 5 kopshteve, 2 shkollave 9-vjeçare dhe një shkolle të mesme. Risi për këtë plan është krjimi i unazës së katërt, e cila vijon nga kryqëzimi me rrugën “5 maji” deri në rrugën “Niko Avrami”, për të zbritur poshtë në rrugën “Imer Ndre Gjoni” dhe për t’u lidhur me rrugën “Xhanfize Keko”. Gjithashtu, një element i rëndësishëm është edhe zgjatimi i rrugës “Karaman Ylli”, e cila është futur që tashmë në planet e Bashkisë së Tiranës për vitin 2012 . Një tjetër faktor shumë i rëndësishëm për të lehtësuar qarkullimin dhe për të ofruar gjithë mundësitë që u prezantuan më parë për zhvillimin është edhe krijimi i rrugëve radiale, të cilat mendohen të zgjerohen, duke arritur deri në 15 metra gjerësi të trupit të rrugës. Ajo që vlen për t’u theksuar është që linja e tramvajit e cila do të kalojë përgjatë rrugës së ”Dibrës”, deri në stacionin e fundit të linjës së Kombinatit.

Intensiteti ndërtimor është një koncept relativisht i ri, që është futur në planin urbanistik. Drejtuesi i grupit të punës për hartimin e planit urbanistik z. Flamur Kuçi ka sqaruar përllogaritjen e intensitetit:

“Në qoftë se intensiteti i një zone është 3, në një shesh 1000 m2, do të thotë që në këtë shesh mund të ndërtohen 3000 m2. Këto 3000 m2 mund të ndërtohen një 6 katësh me 500 m2, pra me 50 % shfrytzueshmëri, ose edhe një 8 katësh, por duke e shfrytëzuar territorin më pak, në mënyrë që të krijohet mundësia për të patur hapësira publike, për të cilat ka shumë nevoje qyteti. Ne synojmë që ky qytet të mos jetë thjesht, si të thuash subjekt ndërtimi, por të ketë edhe një lloj estetike, të cilën qyteti e ka të nevojshme ta ketë”.

KOMENTE