English

Lamberto Zannier: duhet rritur e forcuar bashkëpunimi i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së me Kuvendin e Shqipërisë

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti sot në takim Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zannier.

Zoti Zannier tha se ishte i impresionuar dhe i befasuar nga përkujdesja e Kuvendit për mbledhjen e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, duke shprehur përgëzimet e tij personale por edhe të Asamblesë.

Kryetarja e Kuvendit tha se ishte shumë e kënaqur që ftesa e saj për organizimin e Asamblesë për herë të parë në Shqipëri u finalizua me sukses.

Zonja Jozefina Topalli theksoi se, në këtë vit jubilar të 100 vjetorit të pavarësisë është e nderuar që mirëpret në Shqipëri mbi 200 pjesëmarrës të Asamblesë, duke u dhënë mundësi të gjithëve për të parë nga afër burimet e pafundme të Shqipërisë dhe për të njohur vokacionin europian të shqiptarëve.

Si një njohës i mirë i Shqipërisë dhe rajonit, zoti Zannier tha se sheh me kënaqësi arritjet e mëdha nga viti në vit.

Ai vlerësoi rolin e Shqipërisë në rajon dhe shprehu mbështetjen e plotë të OSBE-së për arritjet e objektivave strategjikë të Shqipërisë siç është antarësimi në BE.

Zoti Zannier nënvizoi faktin se duhet rritur e forcuar dimensioni parlamentar i OSBE-së, si një dimension shumë i rëndësishëm, duke shprehur edhe interesin për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së me Kuvendin e Shqipërisë

KOMENTE