English

Nishani-Zannier: Shqipëria ka çfarë të ofrojë gjatë Presidencës së saj të OSBE-së

Paraditen e sotme Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti në një takim Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zannier, i cili ndodhet në Tiranë në kuadër të sesionit të vjeshtës të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.

Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen për kontributin dhe ndihmën e madhe që OSBE-ja i ka dhënë Shqipërisë përgjatë këtyre viteve në drejtim të demokratizimit të vendit, procesit të zgjedhjeve, përmirësimin e legjislacionit zgjedhor, monitorimin dhe rekomandimet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Kreu i Shtetit u shpreh se Shqipëria, falë maturisë dhe aftësisë së institucioneve të saj është e gatshme të marrë Presidencën e OSBE-së në një moment sa më të afërt dhe kur për këtë të ketë konsensus të plotë.

Presidenti Nishani nënvizoi se “Shqipëria me tolerancën dhe harmoninë e saj fetare, me respektin që ka treguar për të tjerët të ndryshëm si edhe me politikën e fqinjësisë së mirë ka se çfarë të ofrojë gjatë Presidencës së saj të OSBE-së”.

Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zannier vlerësoi transformimin pozitiv të vendit dhe nënvizoi se Shqipëria është një faktor stabiliteti në rajon duke nxitur drejtuesit e vendit të vazhdojnë ta luajnë këtë rol.

Zoti Zannier u shpreh gjithashtu se Shqipëria me Presidencën e Këshillit të Evropës po demostron me fakte aftësitë e saj në drejtimin e institucioneve ndërkombëtare dhe se ai vetë mbetet mbështetës i kërkesës shqiptare për të drejtuar OSBE-në.

KOMENTE