Ministri i Drejtësisë, z. Eduard Halimi u takua me Z Philipe Boillat, Drejtor i Përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Shtetin Ligjor i Këshillit të Europës
I pranishëm në Tiranë për të drejtuar workshopin me Temë “ Mbi disa aspekte të implementimit të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Nivel Kombëtar”, me pjesëmarrjen e agjentëve qeveritar dhe Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, Z Philipe Boillat Drejtor i Përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Shtetin Ligjor, i shoqëruar nga përfaqësuesi i Këshillit të Evropës në Tiranës , z.Marco Leidekker u prit në një takim të veçantë nga Ministri i Drejtësisë, z. Eduard Halimi.
Biseda mes palëve u përqendrua në çështjet me interes të përbashkët që përfshijnë sistemin gjyqësor në vend si dhe disa çështje ligjore që lidhen me respektimin e të drejtave të njeriut , rrjedhoje e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në kuadër të kësaj problematike, Ministri Halimi bëri prezente zgjidhjet që janë bërë në drejtim të çështjeve të pronësisë si dhe masat që janë marrë për ekzekutimin në kohë e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
Ministri i informoi zyrtarin e larë te KE-së mbi punën që është bërë për miratimin e Strategjisë që do i japë zgjidhje përfundimtare problemeve të pronësisë në vend. Ai deklaroi se brenda vitit 2013 do të realizohet regjistri elektronik i pronave, i cili do të bëjë të mundur zgjidhje më të shpejtë të premtimit të qeverisë për kthimin dhe kompensimin e ish- pronarëve në masën 100 për qind.
Ministri u shpreh i kënaqur për realizmin e një prej rekomandimeve më të rëndësishme të Këshillit të Evropës heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë dhe gjyqtarët duke e konsideruar këtë një hap madhor në luftën ndaj korrupsionit.
Në këtë takim Ministri i Drejtësisë, z. Eduard Halimi mori përgëzimet të veçanta nga zyrtari i lartë i Këshillit të Europës për hapat ndërmarrë si në sistemin gjyqësor, me ekzekutimin në kohë të vendimeve gjyqësore ashtu edhe në drejtim të dixhitalizimit të sistemit të drejtësisë.
Z Philipe Boillat shprehu në fund të fjalës së tij mbështetjen për vazhdimësinë e asistencës së Këshillit të Evropës në drejtim të realizmit të objektivave të planifikuara nga qeveria shqiptare.