English

Kryeministri Berisha hap sesionin e vjeshtës së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së

Kryeministri Berisha ka marrë pjesë paraditen e djeshme në hapjen e sesionit të vjeshtës së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, zhvilluar për herë të parë në Tiranë. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së Riccardo Migliori, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, Sekretari i Përgjithshëm i AP të OSBE-së, Lamberto Zannieri, Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, z. Eugen VVolfarth, ambasadorë të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, si dhe mbi 200 pjesëmarrës nga 56 vende anëtare të OSBE-së.

Mbajtja e mbledhjeve të vjeshtës të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Tiranë vjen në një kohë kur Shqipëria mban Presidencën e Këshillit të Evropës, si dhe përgatitet të festojë 100-Vjetorin e Pavarësisë së saj.

Kryeministri vlerësoi si shumë të rëndësishme mbajtjen e këtij sesioni të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Shqipëri, duke theksuar se ky aktivitet përbën një perlë në kurorën e 100 vjetorit të pavarësisë së vendit. Asambleja Parlamentare e OSBE dhe OSBE në tërësi, theksoi Kryeministri, ka qenë për Shqipërinë një partner i shkëlqyer dhe ka dhënë një kontribut thelbësor në promovimin dhe zhvillimin e demokracisë në vendin tonë.

Kryeministri nënvizoi se Shqipëria i detyrohet shumë Asamblesë Parlamentar të Këshillit të Evropës dhe OSBE-së për ndihmën dhe kontributin e tyre gjatë gjithë këtyre viteve, veçanërisht në proceset zgjedhore. Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se, në zgjedhjet e vitit 2009, të cilat u vlerësuan si zgjedhjet që plotësuan kriteret dhe standardet kryesore të OSBE-së dhe që nuk pati asnjë të dhënë për manipulim rezultatesh OSBE dhe Këshilli i Evropës u bënë avoketër të shkëlqyer të kësaj të vërtete të madhe dhe dhanë kontributin e tyre në stabilitetin e vendit.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha bëri edhe një apel për situatën në Siri. “Bëj thirrje të bëhet gjithçka dhe kjo Asamble të bëhet promotor i një ndërhyrjeje të fuqishme, për t’i dhënë fund kësaj gjakderdhjeje të madhe që ndodh sot në Siri, për t’i dhënë fund provokacioneve të këtij diktatori që përpiqet, si çdo diktator tjetër në vështirësi, të nxjerrë konfliktin jashtë territorit të tij, për të ndihmuar Turqinë dhe Jordaninë që përballen me një presion të madh refugjatësh. Shqipëria është e gatshme të japë kontributin e vet modest”, u shpreh Kryeministri.

KOMENTE