English

Panariti: Marrëveshja detare nuk ekziston, duhet krijuar një e re

Më poshtë jepet konferenca për shtyp, e plotë, e Ministrit të jashtëm Edmond Panariti lidhur me vizitën e tij në Greqi.

Pyetje - Cili ka qënë reagimi i palës greke për kërkesën tuaj për çështjen e ligjit të luftës? Po për çështjen e marrëveshjes së detit?

Ministri Panariti - Unë theksoj që vizita ime, suksesi i kësaj vizite, në radhë të parë është është cilësuar si e tillë nga pala greke, e cila e ka konsideruar shumë produktive, një vizitë që projekton drejt së ardhmes marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë në frymën e dialogut të sinqertë, në frymën e adresimit të problemeve pa asnjë lloj kompleksi, pa asnjë lloj paragjykimi. Pikërisht me këtë frymë unë pata rastin që me homologun tim Dimitris Avramopulos të vendos mbi tryezën e bisedimeve të gjithë problemet që ka dosja shqiptare, duke filluar më problemet e mbartura nga historia dhe këtu i referohem problemeve të Çamërisë dhe të pronave shqiptare në Greqi dhe problemeve aktuale.

Tashmë vij te pyetja tjetër që ju adresuat, çështja e marrëveshjes së ujërave detare. Pozicioni Shqipërisë është i qartë. Ky problem do të adresohet në frymën e Kushtetutës së vendit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. I theksova mikut tim z. Avramopulos se, mbas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për ne nuk ekziston marrëveshja për detin dhe duhet të punojmë së bashku për të krijuar kushtet për të filluar negociatat për një marrëveshje të re, e cila duhet të jetë një marrëveshje që nuk duhet të kontestohet nga asnjëra palë për të qënë një marrëveshje e qëndrueshme. Ky është edhe qëndrimi im. Pa dyshim Dimitri Avramopulos dëgjoi qëndrimin tim dhe besoj se e respektoi në këtë drejtim, dhe vura re me kënaqësi që edhe shteti grek nuk ka avancuar me ratifikimin e marrëveshjes së vjetër. Ajo është e ngrirë nga shteti grek gjë që më bën të shpresoj se edhe shteti grek do të afrohet, ose do të jetë kompatibël në përputhje me qëndrimin shqiptar për adresimin e kësaj çështje shumë të rëndësishme.

Pyetje - Zoti ministër, ka ndonjë deklaratë zyrtare nga Athina që do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese shqiptare?

Ministri Panariti -Qëndrimi i Athinës zyrtare është që çdo gjë do të bëhet në frymën e dialogut dhe marrëveshjeve dhe të konventave ndërkombëtare.

Pyetje - Po përsa i përket kërkesave të tyre për ligjin e luftës?

Panariti - Kjo nuk është ndonjë kërkesë e re. Ky është një absurditet që unë besoj se edhe pala greke është plotësisht e ndërgjegjshme që kemi të bëjmë plotësisht me një absurditet të pastër, përderisa të dy vendet janë aleat në NATO mbajtja e një ligji të tillë është tërësishjt jashtë kohe, një absurdi pastër dhe unë mendoj që pala greke do të ketë vullnetin për ta abroguar.

Më lejoni që të shpalos këtu edhe arritje të tjera të kësaj vizite, sepse kjo vizitë ishte shumë komplekse, nuk është përqëndruar vetëm në çështjet kryesore që ishin ai i ujrave dhe çështja came dhe e pronave shqiptare në greqi. Por disktutuam edhe për shumë problem të tjera për të cilat patëm rezultate konkrete. Në radhë të parë ne vendosëm të gjejmë një zgjidhje të shpejtë për çështjen e njohjes së çertifikatave nga të dy vendet respektive, do të punohet edhe për marrëveshjen e vulës Apostile dhe do të kemi rezultate të shpejta në mënyrë që qytetarët shqiptarë të mos stërmundohen për legalizimin, por nëpërmjet një vule të thjeshtë të kapërcehen procedurat e ndërlikuara të legalizmit të dokumentave. U arrit një marrëveshje dhe po punohet që të finalizohet, pikërisht ajo për lehtësimin e transportit urban. Ju e dini që transporti urban ka pasur vështirësi, bllokime nga të dyja palët. Z. Avramopulos u tregua shumë konstruktiv, u lidhëm edhe me Ministrin e Transporteve dhe së shpejti do të ketë edhe një takim mes Ministrit të Transportit të Greqisë dhe atij të Shqipërisë për ta finalizuar këtë marrëveshje, u diskututan padyshim edhe për mosrespektimin e marrëveshjes Shengen, pra për penalizmin në këndvështrimin tim të padrejtë të qytetarëve shqiptarë për kohën e qëndrimit të tyre. Unë ia adresova këtë qëndrim z. Avramopulos dhe gjeta mirëkuptimin e tij për të patur një qëndrim të njësuar për respektimin e marrëveshjes Shengen sipas detyrimeve që rrjedhin nga kjo marrëveshje për të dy vendet respektive.

U diskutua padyshim edhe për cështjen e patentave për njohjen reciproke të patentave nga të dy vendet.

I theksova z. Avramopulos që për ne është shumë e rëndësishme respekti ndaj gjyqtarëve ndaj gazetarëve ndaj mediave dhe shtypit dhe në këtë këndvështrim i përmenda shqetësimin tim shumë të madh për penalizimin e padrejtë me vënien e statusit të personit non grata, gazetarit të nderuar z. Marin Mema. Këtë z. Avramopulos ia thashë edhe në kontaktin tim tet - a - tet por edhe në atë zyrtar. I theksova që ne duhet të shmangim ngjarje të tilla se këto nuk i shërbejnë klimës së mirëkuptimit dhe dialogut dhe aq më tepër media që është përçuese e këtij mirëkuptimi dhe dialogu. Z. Avramopulos më siguroi që shteti grek do të mbetet i hapur për mediat, qytetarët, gjyqtarët dhe padyshim mori shënim për problemin që unë ia adresova në mënyrë të drejtëpërdrejt.

Pyeteje - Mund të zgjidhet çështja e z. Mema ?

Ministri Panariti - Është çështje që po trajtohet.

Pyetje – Gjatë këtyre 20 vitete të gjitha qeveritë e kanë ngritur në tryezën e bisedimeve dosjen shqiptare –greke, por ende nuk janë zgjidhur çështjet si ajo çame, apo çështjet e tjera si ligji i luftës. Pse besoni që me vizitën tuaj mund të ndodhë diçka e re?

Ministri Panariti - Sepse këtë besim ka edhe pala greke. Nuk e kam vetëm unë. Ne do të hapim një kapitull të ri që nga monenti që ne vendosëm pa asnjë lloj paragjykimi dhe me vendosmëri për t’i vendosur gjarat mbi tavolinë në një format zyrtar. Tashmë ekzistojnë mundësitë që këto gjëra të futen në prespektivën e zgjedhjes.

KOMENTE