English

Pezullohet nga puna gjyqtari Neritan Tabaku

Pezullohet nga puna gjyqtari që liroi nga burgu Ilir Xhaken. Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka marrë masë ndëshkimore, “pezullim nga puna” ndaj gjyqtarit të Durrësit, Neritan Tabaku.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në mbledhjen plenare të datës 05.10.2012, pati në fokus të rendit të ditës, shqyrtimin e kërkesave për procedime disiplinore të disa gjyqtarëve.
Me vëmendjen e veçantë të Këshillit, u trajtua kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme për dhënien e autorizimin për procedim, ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, z. Neritan Tabaku. Në respektim të Kushtetutës dhe të ligjit “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”, Këshilli unanimisht miratoi këtë kërkesë, duke i dhënë rrugë procedimit penal ndaj gjyqtarit të sipërcituar, për veprën penale të ‘Shpërdorimit të detyrës’ e parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal si dhe duke pezulluar nga detyra gjyqtarin në fjalë.
Në këtë kuadër, Këshilli trajtoi edhe çështje lidhur me veprime apo mosveprime nga ana e gjyqtarëve, në kundërshtim me ligjin, duke theksuar domosdoshmërinë dhe angazhimin maksimal për të evidentuar në kohë, nëpërmjet inspektimeve të vazhdueshme, të gjitha ato raste që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, si dhe një reagim të menjëhershëm institucional.

Këshilli shqyrtoi kërkesën e Ministrit të Drejtësisë për procedim disiplinor ndaj gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, Dhurata Bilo, për të cilën u vendos masa disiplinore “Vërejtje me paralajmërim për shkarkim nga detyra”.

Këshilli pasi shqyrtoi kërkesën e Ministrit të Drejtësisë për procedim disiplinor ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, Shyqyri Çobo, vendosi me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm të rrëzojë kërkesën për masën disiplinore “Shkarkim nga detyra” me argumentimin se mosshqyrtimi përfundimtar nga prokuroria i kallëzimit të bërë nga ILDKP ndaj gjyqtarit në fjalë është kusht vendimtar për një vendimmarrje të drejtë nga KLD.

Këshilli vendosi shtyrjen e mëtejshme të shqyrtimit të një kërkese tjetër të Ministrit të Drejtësisë për procedim disiplinor ndaj një gjyqtari, pasi u konsiderua domosdoshmëri administrimi dhe njohja e anëtarëve me disa akte shtesë.

KOMENTE