English

Berisha fton kryeministrin e Marokut për bashkëpunim ekonomik

Gjatë qëndrimit të tij zyrtar në Strasburg, kryministri i Shqipërisë është takuar edhe me Kryeministrin e Marokut z. Abdel- Illah Benkiran, gjatë qëndrimit të tij në Strazburg.

Kryeministri Berisha u shpreh se ndiqte me interes zhvillimet dhe reformat në Marok, të kryera nga Mbreti dhe qeveria e Marokut dhe i cilësoi ato si reforma që i përgjigjen nevojave të vendit.

Duke u ndalur tek marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve, Kryeministri nënvizoi nevojën për thellim të marrëdhënieve dypalëshe, si në ekonomi, turizëm, energjetikë, kulturë, etj.

Kryeministri Berisha diskutoi me Kryeministrin e Marokut z. Abdel- Illah Benkiran rreth mundësive të bashkëpunimit ekonomik dypalësh dhe përsëriti ftesën që investitorët marokenë të vijnë në Shqipëri, duke nënvizuar veçanërisht si fushë me interes hidro-energjinë.

Kryeministri Berisha vlerësoi se është e rëndësishme ndërtimi i një axhende bashkëpunimi me fushat me interes për të dy palët. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha e ftoi Kryeministrin Benkiran për një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Kryeministri Benkiran e falënderoi Kryeministrin Berisha për ftesën për të vizituar Shqipërinë. Ai shprehu mbështetjen për propozimin e Kryeministrit Berisha për një axhendë bashkëpunimi për të forcuar më tej lidhjet vëllazërore që ekzistojnë mes dy vendeve tona. Në të njëjtën kohë, Kryeministri Benkiran vlerësoi si shumë të vlefshme eksperiencën e tranzicionit shqiptar, eksperiencë nga e cila mund të mësojë shumë edhe shteti që ai përfaqëson. Në këtë kontekst, marrëdhëniet me Shqipërinë ai i vlerësoi si shumë të rëndësishme, pasi afrimi i dy popujve do t’i shërbejë më mirë konsolidimit të demokracisë marokene.

Kryeministri Berisha pasi siguroi Kryeministrin Marekon për qëndrimin e Shqipërisë, e cila njeh i integritetin e Marokut, u ndal në situatën në rajon e në veçanti në Kosovë, ku theksoi se procesi që ka nisur aty është i pakthyeshëm. Ai ftoi autoritetet marokene të dërgojnë një grup përfaqësuesish për të parë këtë realitet të ri. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha u shpreh se autoritetet shqiptare do ta vlerësonin së tepërmi nëse autoritetet marokene do të merrnin në konsideratë njohjen e shtetit të ri të Kosovës.

Kryeministri Maroken, pasi falënderoi Kryeministrin Berisha për çështjen e integritetit, i premtoi atij se do ta shikojnë me seriozitet kërkesën e autoriteteve shqiptare, si një subjekt tepër i rëndësishme për rajonin.

Në përfundim të takimit, Kryeministri Berisha u ndal në Konferencën e Nivelit të lartë që parashikohet të zhvillohet në Shqipëri në datën 9 nëntor, me rastin e përmbylljes së Presidencës shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.

Një nga sesionet e kësaj konference kushtohet pranverës arabe dhe kontributit që mund t’i japë Shqipëria tranzicionit në këto vende. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha ftoi Ministrin e Jashtëm Maroken që të marrë pjesë në këtë konferencë, duke vlerësuar se ekspertiza e KiE në çështjet e konsolidimit të demokracisë, nëpërmjet mekanizmave të tij si; Komisioni i Venecias dhe GRECO, do të ishte shumë i dobishëm për vendet e pranverës arabe.

Kjo ftesë u mirëprit nga Kryeministri maroken Benkiran.

KOMENTE