English

FRD-ja kërkon seancë të jashtëzakonshme në parlament, për ish-të përndjekurit

Fryma e Re Demokratike i kërkon partive në parlament mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit për problematikën e ish- të përndjekurve politikë

“Parlamenti duhet të ndërhyjë për të marrë situatën në dorë, për të zhvilluar një seancë debati, për të vendosur urat e dialogut institucional, për t’i kërkuar qeverisë zbatimin e ligjit dhe për t’i dhënë fund situatës absurde, kur një qeveri prepotente i detyron qytetarët të rrezikojnë jetën e tyre në mbrojtje të lirive dhe të drejtave kushtetuese.”

Deputeti i Frymës së Re Demokratike, z. Gazmend Oketa, përmes një letre zyrtare drejtuar kryesisë së Kuvendit, si dhe partive politike të përfaqësuara në parlament kërkoi sot mbledhje urgjente të parlamentit për problematikën e ish- të përndjekurve politikë. Zoti Oketa, në një deklaratë përpara medias duke e cilësuar aktin e sotëm të grevistit ish- të përndjekur politikë Gjergj Ndreca, i uroi atij shërim të shpejtë dhe bëri përgjegjës heshtjen kriminale të Kryeministrit dhe të qeverisë. Shtyrë nga situata e rëndë e krijuar me grevën dhe sjelljen arrogante të qeverisë zoti Oketa prezantoi letrën e tij publike dhe nismën drejtuar parlamentit.

Midis të tjerash në letrën e tij drejtuar kuvendit dhe drejtuesve të partive në Shqipëri thuhej:
“Greva e urisë e ish-të përndjekurve politik është një akuzë në drejtim të qeverisë për frymën e saj diskriminuese. Duhet të gjendet një zgjidhje e menjëhershme e kësaj situate. Kuvendi duhet të zbatojë ligjet që janë miratuar prej tij dhe të dëmshpërblejë financiarisht ish-të përndjekurit. Për shkak se qeveria në kundërshtim me detyrimin e saj kushtetues refuzoi zbatimin e ligjit, për shkak se qeveria në kundërshtim me moralin e saj të premtuar politik refuzoi dialogun, për shkak se qeveria në kundërshtim me parimet e përfaqësimit vendosi të braktisë përfundimisht ish- të përndjekurit dhe ish- të burgosurit politikë, parlamenti duhet të ndërhyjë për të marrë situatën në dorë, për të zhvilluar një seancë debati, për të vendosur urat e dialogut institucional, për t’i kërkuar qeverisë zbatimin e ligjit dhe për t’i dhënë fund situatës absurde, kur një qeveri prepotente i detyron qytetarët të rrezikojnë jetën e tyre në mbrojtje të lirive dhe të drejtave kushtetuese."

KOMENTE