Më 10 tetor, Komisioni Evropian do të publikojë strategjinë e zgjerimit 2012 -
2013, së bashku me Raportet e Progresit për vendet kandidate dhe potenciale kandidate.
Konkluzionet e Raportit të Progresit për Shqipërinë janë veçanërisht të rëndësishme, pasi për dy vjet rresht, në Opinionin 2010 dhe 2011 Raporti i Progresit, mohoi statusin e vendit kandidat në BE.
Komisioni Evropian do t`i japë dritën jeshile nesër, Shqipërisë, pasi vendi do të marrë zyrtarisht ftesën për të qenë kandidat i ri për anëtarësim në BE, por kjo do të jetë një “po” e kushtëzuar.
Duke iu referuar burimeve brenda BE-së, agjencia Ansa shkruan se Tirana e cila ka aplikuar për anëtarësim më 27 prill të vitit 2009, mund të marrë statusin, por vetëm mbi bazën e një numri kushtesh që lidhen me procesin e reformave politike që po zhvillohen në vend. Tani për tani fillimi i negociatave për anëtarësim nuk është përfshirë në propozimin e Komisionit Europian.
Kushtet që do të shoqërojnë vetëm pjesën e rekomandimit për statusin duhen plotësuar para muajit dhjetor, kur vendet anëtare do të marrin në shqyrtim rekomandimin e Komisionit, për të vendosur nëse vendi e meriton apo jo statusin kandidat.
Por ndërsa për të propozuar statusin, Komisioni është fokusuar në përmbushjen e prioriteteve "të lehta": votime ligjesh në parlament apo zgjedhja kushtetuese e Presidentit, vendet anëtare janë shumë më të ndjeshme ndaj çështjes së zgjedhjeve të vitit 2013 dhe fushës së sundimit të ligjit ku përfshihen lufta kundër korrupsionit, krimit dhe trafiqeve, e mbi të gjitha, pavarësia e gjyqësorit, institucioneve të pavarura dhe respektimi i të drejtave të njeriut.