English

Basha. Plani i Tiranës është ndërtimi i së ardhmes dhe jo ndërtimi i së sotmes dhe grabitja e së ardhmes

Bashkia e Tiranës në vazhdën e takimeve me njësitë bashkiake të Tiranës për diskutimin e planit rregullues të Tiranës është konsultuar gjatë pasdites së djeshme me banorë e Njësisë Bashkiake nr. 1. Plani i Përgjithshëm Rregullues parashikon që kjo njësi të jetë një zonë e zhvilluar qartë dhe me përfitime të drejtpërdrejta për individët pronarë dhe për komunitetet e kësaj zone. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha tha se Plani Urbanistik parashikon një zhvillim të qartë të kësaj zone, shfrytëzimin e potencialeve të fjetura deri tani, të cilat do të ndikojnë direkt në hapjen e vendeve të punës dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së banorëve të kësaj zone.

“Kemi në këtë zonë për shembull procesin e urbanizimit të të gjithë shtratit të Lanës dhe lidhjen e pjesës fundore me Unazën e Madhe të Tiranës, kemi ish-kombinatin e Autotraktorëve me destinacion të papërcaktuar dhe të papërdorshme deri më sot për komunitetin por që në këtë plan qartësisht do i shërbejë komunitetit, zhvillimit të tij dhe hapjes së mundësive për punësim. Kemi në këtë zonë prona që për nga natyra i përngjajnë pronave rurale por që nesër do të jenë jo vetëm një potencial zhvillimi për pronarët e ligjshëm të tyre por edhe një hapësirë për të shtuar parqe të gjelbra, kënde lojrash për fëmijë dhe institucione social-kulturore, që nga çerdhet, kopshtet deri tek shkollat. Kemi në këtë zonë, potenciale për të vazhduar më tej me traditën e objekteve që punësojnë, objekte industriale, kryesisht industrisë fasone si dhe hapësira të mjaftueshme jo vetëm për banorët e njësisë vendore nr.1 por për të gjithë qytetin” – shpreh Kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha.

Zoti Basha ka shprehur vendosmërinë e tij për të miratuar Planin e Përgjithshëm Rregullues që do u shërbejë interesave të qytetarëve, brezave të sotëm dhe të ardhshëm.

“Ajo që dua t’ju them është që përveç ardhjes para qytetarëve të Tiranës me një draft-plan që i ka munguar prej vitesh këtij qyteti, ne vijmë me vendosmërinë që ky draft-plan të kthehet në një plan vetëm kur të kemi krijuar bindjen e plotë se i shërben në mënyrën më të plotë të mundshme, interesave të qytetarëve të Tiranës dhe ku askush nuk ndihet i penalizuar si edhe me bindjen se ky plan pas miratimit do i shërbejë këtij brezi dhe brezave të ardhshëm, sepse në thelb të tij është qëndrueshmëria, në thelb të tij është ndërtimi i së ardhmes dhe jo ndërtimi i së sotmes dhe grabitja e së ardhmes” – theksoi z. Basha.

Në këtë njësi bashkiake parashikohet ndërtimi i një shkolle të mesme, 5 shkollave 9 vjeçare, 6 kopshteve dhe 12 çerdheve. Intensiteti i ndërtimit parashikohet nga 3 në 0.38.

Parashikohen disa projekte dhe rrugë shumë të rëndësishme, siç është kalimi i Unazës së pestë të qytetit, e cila bën një shpërndarje të trafikut, për nga Komuna e Farkës që është zgjatim, dhe më tej për t’u lidhur me rrjetin. Një projekt shumë i rëndësishëm që do të japë edhe zgjidhje është zgjatimi i të dy brigjeve të Lanës, respektivisht bulevardi “Zhan D’Ark” dhe “Bajram Curri”, deri tek Ura e Shkozës, duke ruajtur gjurmën, amplitudën, dhe gjerësinë e saj.

Projekt tjetër me shumë rëndësi, jo vetëm për komunitetin e kësaj njësie, por për të gjithë trafikun në qytetin e Tiranës, është edhe vazhdimi i bulevardit “Petro Nini Luarasi”, deri sa të ndërpritet me unazën nr. 5. Ky bulevard parashikohet me gjerësi 23.5 km, ndërkohë që ka filluar nga punimet hapja e rrugës “Hasan Sufa”. Sot po punohet deri në lidhje me rrugën “Ali Demi”, por parashikohet të zgjatohet duke vazhduar deri sa të ndërpritet me rrugën “Petro Nini Luarasi”, ndërkohë që rrugët e tjera siç është “Ali Demi” apo “Ali Shevqefi” parashikohet që të jetë me një gjerësi prej 19.8 m. Trami është një element i rëndësishëm i këtij plani dhe në këtë zonë parashikohet që të kalojë në unazë, deri tek lidhja me “Brrylin”, për të vazhduar pastaj në formë unazore duke ndjekur unazën ekzistuese”.

KOMENTE