English

RTK e Kosovës, transmeton në gjendje të jashtëzakonshme

Televizioni i Kosovës ka rikthyer transmetimin nga studiot e anksit të RTK-së. Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Sylejman Shaqiri tha se kjo ishte dita më e rëndë për RTK-në që nga fillimi i transmetimit të TVK-së, por është edhe një sprovë e madhe. Sipas tij po bëhen përpjekje që sa më parë të krijohen kushte për një funksionim normal të programit.

Dyshimet e para thonë se shkaku i zjarrit ishte defekti i instalimit të energjisë elektrike. Ekpserti i forenzikës Ruzhdi Sefa tha se është dëmtuar arkivi i RTK-së ndërsa ka hequr dyshimin për zjarrvënie të qëllimshme.

Zjarri që shpërtheu brenda objektit të RTK-së shkaktoi ndërprerjen për disa orë të transmetimit televiziv. Ndërkohë RTK-ja ka transmetuar pjesërisht për disa orë programin vetëm në rrjetin tokësor.

Ekipet e RTK-së po punojnë në konstatimin e gjendjes së pajisjeve, pastrimin e tyre dhe mundësinë e futjes në funksion.

RTK-ja kërkon mirëkuptimin e audiencës ndërkohë që u bën thirrje të gjithë atyre që nuk ia duan të mirën medias të vetme publike në Kosovë që të mos pengojnë rikthimin e situatës në normalitet.

Zjarri kishte shpërthyer sot në orët e para të mëngjesit në ndërtesën e Radiotelevizionit të Kosovës.
Lëvizja “Çohu”, një organizatë joqeveritare nëpërmjet një veprimtarie në qendër të Prishtinës, hodhi dyshimet se “ky zjarr mund të ketë shkatërruar evidenca që mund të provonin manipulimet e bëra në tërë këto vite në Radiotelevizionin e Kosovës”.

Ditë më parë, burime të paidentifikuara publikuan dokumente në të cilat thuhet se drejtues të kësaj media mund të jenë përfshirë në “transaksione të dyshimta financiare”. Pohimet e tilla janë hedhur poshtë nga drejtuesit e Radiotelevizionit të Kosovës.

KOMENTE