“Dhëndri, vajza dhe djali i Saliut po gllabërojnë pronat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Kompleksin sportiv Partizani, 33000 metër katrorë, në qendër të Tiranës e ka privatizuar Jamarbër Malltezi, dhëndri i Sali Berishës, bashkëshorti i Argita Berishës”.
Vetëm një ditë pasi kishte nisur denoncimi i aferës korruptive të shitjes së klubit sportiv Partizani, deputeti socialist Taulant Balla ka publikuar edhe emrin e personit që ka përfituar nga ky privatizim i pazakontë. Gjatë një konference për shtyp të mbajtur sot paradite, deputeti Balla ka deklaruar se me prokura të posaçme para noterëve, dhëndri i Sali Berishës është përfaqësuesi i pronarëve dhe personi që ka firmosur kontratën e shitjes së një prone me ndërtesa disa katëshe dhe 33.000 mijë metër katror truall për çmimin qesharak prej 100 milionë lekësh të vjetra.
Pasi ka paraqitur përpara gazetarëve prokurat e posaçme dhe kontratën e firmosur nga Jamarbër Malltezi për privatizimin e Klubit Partizani, deputeti socialist ka sjellë disa shifra dhe fakte që tregojnë më së miri fytyrën e vërtetë të korrupsionit që ka pushtuar plotësisht Ministrinë e Mbrojtjes dhe Qeverinë shqiptare. “Janë 81 komplekse sportive në të gjithë Shqipërinë me pronarë. I vetmi kompleks sportiv i privatizuar dhe i ndryshuar tërësisht destinacioni është kompleksi i privatizuar nga dhëndri i Kryeministrit. Janë 213 prona të Ushtrisë, në administrim nga Ministria e Mbrojtjes, që janë prona të pretenduara nga ish-pronarë, e vetmja pronë e kthyer i është kthyer dhëndrit të Kryeministrit. Pra, ish-pronarët duhet të bëjnë krushqi me Sali Berishën që të marrin pronat, ndryshe nuk i marrin dot pronat”, është shprehur Taulant Balla.
Më tej deputeti Balla ka treguar edhe mënyrën se si është kryer ky privatizim. Sipas tij oficerëve të lartë, drejtuesve të komandës mbështetëse, iu është bërë për muaj me radhë presion që të firmosnin edhe ata kontratën e shitjes. “Por kjo kontratë nuk mori pëlqimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Komandës Mbështetëse, deri ditën që Ministër i Mbrojtjes u bë Arben Imami dhe Komandant i Brigadës Mbështetëse u bë Gjeneral Xhemal Gjunkshi. Kam këtu letrën komunikimin ndërmjet komandës mbështetëse dhe Presidentit të Republikës 3 vjet më parë, të cilët e informojnë për parregullsitë në tjetërsimin e kësaj prone. Kam këtu edhe dokumentacion e arkivës së shtetit, sipas të cilit kjo pronë është pronë e shtetit, e shtetëzuar 72 vjet më parë, të dëmshpërblyer pronarët me franga ari nga qeveria e asaj kohe”, ka deklaruar deputeti socialist.
Në mbyllje të fjalës që tij Taulant Balla ka theksuar edhe një herë se në Shqipërinë që qeveriset nga Sali Berisha, që të privatizosh një pronë, duhet ta kesh emrin Jamarbër Malltezi dhe të jesh dhëndri i Kryeministrit, ndërkohë që të burgosurit politikë po vetëflijohen dhe Saliu nuk denjon as të dialogojë me ta.