English

Bamir Topi flet në Radio Kosova: Ndryshimi i kufijve opsion jo i favorshëm për shqiptarët

Bamir Topi, Ish-presidenti i Shqipërisë, në një intervistë ekskluzive për Radio Kosovën, ka thënë se ndryshimi i kufijve në Ballkan nuk është një opsion i favorshëm për shqiptarët, po ashtu, i padëshiruar dhe i kontestuar edhe nga politika ndërkombëtare.

Intervista e plotë jepet më poshtë:

RADIO KOSOVA: Zoti President! Po Ju drejtohem me këtë titull jo thjesht se keni disa javë që latë detyrën, por për shkak të qenies së funksionit që keni kryer, si të rëndësishëm për bashkimin e kombit. A e ka kryer Bamir Topi këtë autoritet të tij gjatë 5 vjetëve në detyrë?

BAMIR TOPI: Plotësisht! Pa asnjë lloj ekuivoku, plotësisht, sepse Presidenti i Republikës kondicionohet në rolin e tij në funksion të ligjit themeltar të shtetit, që është Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Aty brenda është edhe morali, aty janë edhe të gjitha rregullat dhe konturet konstitucionalë dhe duke qenë i bindur që e kam realizuar me përpikëri Kushtetutën. Dhe, është përgjigja këtu brenda që e kam realizuar me përpikëri edhe detyrën time si President.

RADIO KOSOVA: Ju në mënyrë domethënëse dhe shumë simbolike keni bërë vizitën e parë dhe të fundit në Kosovë...

BAMIR TOPI: Kosova është çështje e mbyllur për sa i përket zgjidhjes kushtetuese të shtetit të ri të Kosovës. Dhe, nga kjo pikëpamje nuk ka asnjë lloj diskutimi. Çështja është nëse të tjerët, të cilët kanë pasur këndvështrime të ndryshme për çështjen e Kosovës, vazhdojnë të njëjtin skenar. Në rastin konkret e kam fjalën për Serbinë, e cila nuk pajtohet kurrsesi me realitetin e ri në Kosovë. Kosova sot ka institucionet e veta; Kosova sot rrit njohjen e saj në botë dhe ka partnerë të rëndësishëm që komunikon. Nga kjo pikëpamje, Kosova, brenda pak vitesh, që do të thotë që nga shkurti i vitit 2008 e deri më sot, ka patjetër një sjellje të admirueshme institucionale dhe praktikisht njihet nga partnerët kryesorë ndërkombëtarë, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet më të rëndësishëm të Bashkimit Evropian. Për sa i përket dialogut që ka filluar me Serbinë - ne e kemi inkurajuar këtë dialog në Bruksel dhe patjetër pjesa e politikës së Kosovës, duket më emancipuar krahasimisht me pjesën e politikës së Serbisë. Ne inkurajojmë dhe gjithsesi, jemi gjithmonë me atë që artikulon Presidentja e Kosovës apo Kryeministri i Kosovës, të gjithë institucionet e Kosovës, që çdo bisedë që do të bëhet, do të bëhet në rrafshin teknik dhe duke marrë në konsideratë statusin që ka Kosova si një shtet i pavarur dhe sovran.

RADIO KOSOVA: Zyrtarë të Beogradit, të niveleve të larta, përfshi kryeministrin Ivica Daçiq, thonë se një mundësi e ndarjes së Kosovës, ndoshta...

BAMIR TOPI: Unë nuk besoj që kjo çështje do të jetë çështje e shtruar për diskutim, pasi këtij opsioni i kanë dhënë përgjigje definitive kontestuese aktorët më të rëndësishëm të politikës ndërkombëtare. Pra, unë kam bindjen (bindje, e cila është shprehur edhe më parë), që Kosova do të jetë shtet integral pa asnjë lloj opsioni ndarjeje. Këto janë zgjidhje halucinante që vijnë nga ata që tashmë e kanë humbur Kosovën.

RADIO KOSOVA: Ndryshimi i kufijve është çështje përfundimtare jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë Ballkanin?

BAMIR TOPI: Opsioni i ndryshimit të kufijve në Ballkan është opsioni më i padëshiruar dhe i kontestuar në përgjithësi nga politika ndërkombëtare dhe nga politika e vendeve ballkanike. Dhe, unë nuk mendoj që ky është opsion i dëshiruar, sepse kjo do të sillte pastaj probleme që lidhen direkt me stabilitetin dhe me atë “status-quo” ballkanike, e cila është e domosdoshme për t’u ruajtur. Përkundrazi, vendet e Ballkanit duhet të shkojnë dhe të shkojnë drejt Bashkimit Evropian. Jo ndryshimi i kufijve, por hapja e kufijve në sensin e bashkëpunimit rajonal, një politikë e moderuar dhe jo politika që të çon në vitet e errëta të dominimit të politikës së Millosheviqit, kjo do të ishte e ardhmja e Ballkanit, integrimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

RADIO KOSOVA: Konferenca e Londrës, konferenca e traktate të mëparshme dhe të mëpasme, ndryshuan kufijtë në Ballkan. Por, nuk është se pati qetësi në këtë rajon...

BAMIR TOPI: Historitë e rindarjes së territoreve tashmë janë të tejkaluara edhe në politikën institucionale të Shqipërisë. Çështja shtrohet ndryshe-shtrohet për interesat e shqiptarëve në rajon. Këtu është këndvështrimi tjetër, që interesat e shqiptarëve në rajon duhet të ndiqen me shumë kujdes nga Shqipëria, nga institucionet e Kosovës, nga partitë politike shqiptare në Maqedoni dhe nga përfaqësuesit e shqiptarëve në Preshevë, në mënyrë që të artikulohen në një harmonizim të politikave evropiane dhe euroatlantike në përgjithësi. Askush nuk duhet të mendojë që opsioni i ndryshimit të kufijve është opsioni më i mirë për shqiptarët në rajon. Patjetër që historia e Shqipërisë është historia që prevalon. Qoftë Lidhja e Prizrenit, qoftë çdo ngjarje tjetër historike, është një histori mjaft e pasur, ku të gjithë shqiptarët janë mjaft të ndjeshëm. Sot politika e Shqipërisë dhe e të gjithë vendeve të rajonit, sikurse thashë, orientohet në të mirë të shqiptarëve duke shkuar drejt strukturave të Bashkimit Evropian. Unë jam me një përcaktim dominant të kësaj, sepse mendoj që e ardhmja e të gjithë shqiptarëve do të jetë më e mirë, duke u integruar në Bashkimin Evropian.

RADIO KOSOVA: Si mund të pritet sjellja e zyrtarëve të shtetit maqedonas, sjelljen e institucioneve të Malit të Zi kundrejt shqiptarëve etnikë në këto territore; qëndrimin dhunues të Serbisë ndaj Luginës së Preshevës. Keni komente?

BAMIR TOPI: Kur kemi diskutuar për mënyrën e sjelljes së institucioneve të Shqipërisë apo të Kosovës, kemi marrë në konsideratë rëndësinë që ka faktori shqiptar në terren, çka do të thotë që pavarësisht nëse njerëzit merren me politikë ose jo, në bindjen time, faktori më i moderuar në rajon, ka qenë faktori shqiptar. Pa dyshim që ne ndeshim edhe qëndrime ndoshta jo shumë të moderuara të faktorëve politikë dhe etnikë (sikurse ju e shprehët) në Maqedoni. Unë të paktën di këtë: që në të gjithë bisedat dhe të gjithë kontaktet që kemi pasur me faktorët relevantë institucionalë dhe politikë, kemi kërkuar që paqja në rajon dhe bashkëpunimi vjen nga një dëshirë e të gjitha palëve. Sjellja e çdo faktori institucional duhet të jetë konform atyre standardeve që sot, nuk është se nuk njihen. Pra, bashkëpunimi. Largimi nga predispozicioni për bashkëpunim do të ishin ata faktorë që do të bënin të mundur që të gjithë banorët e Ballkanit, sot të kenë një prirje të re. Ka tendenca nacionaliste, madje në disa raste edhe ultranacionaliste për ta sjell Ballkanin në retrospektivën e konfliktit. Por, unë mendoj se ajo që është pjesa më dominate, është pjesa që e shikon Evropën dhe NATO-n, si arritjen e domosdoshme për të gjithë popujt e Ballkanit. Faktori politik shqiptar duhet të jetë më bashkëpunues midis vetes, në mënyrë që të jenë më të rëndësishëm në çdo lloj vendimmarrjeje politike dhe institucionale në Maqedoni. Për sa i përket rolit të shqiptarëve, qoftë në Maqedoni, qoftë në Malin e Zi, është shumë e nevojshme që ata të jenë më në harmoni me njëri-tjetrin. Sa më në harmoni të jenë ata me njeri-tjetrin, edhe zgjidhjet pastaj janë më të rëndësishme dhe efikase.

KOMENTE